Tiranë, 24 shkurt, NOA / Nga Blerina Ahmetaj - Ulja e numrit të konsultave ka rritur ndjeshëm shtrimet në urgjenca, duke vështirësuar në këtë mënyrë punën në pavionet me numrin më të madh të vizitave në QSUT, siç janë pavioni i sëmundjeve të Brendshme dhe ai i Kardiologjisë. Pas analizës vjetore të punës së kryer gjatë vitit 2009, drejtoria e përgjithshme e QSUT përmes një urdhri ka vendosur kriteret që duhet të merren parasysh nga mjekët para se të shtrojnë pacientin në shërbimin e urgjencave në QSUT. Drejtori i QSUT, Ilir Dashi shpjegoi për agjencinë e lajmeve NOA, arsyet që e detyruan të marrë këtë vendim dhe premtimin për të rritur ndjeshëm cilësinë e shërbimit në urgjencat mjekësore.
Z.Dashi, sipas urdhrit të miratuar prej jush, cilët pacientë duhet të paraqiten në urgjencat e QSUT?
- Gjatë analizës së të dhënave që kam marrë nga shërbimi i Urgjencës, siç e keni vënë re dhe ju, ka mbipopullim të pacientëve në Urgjencën e spitalit të sëmundjeve të Brendshme dhe Reanimacionin e Kardiologjisë.
Kjo ka bllokuar punën në pavionet e këtyre shërbimeve, gjë e cila na ka kushtuar jo pak.
Sipas urdhrit që ne kemi miratuar të gjitha këto pavione, si shërbimi i urgjencave, reanimacioni i Kardiologjisë dhe shërbimet e Kardiologjisë janë të detyruara që në fund të çdo jave, të sjellin në drejtori informacion të detajuar për pacientët e shtruar.
Në bazë të këtij informacioni, do të shihet se sa është zbatuar sistemi i referimit dhe urdhri nga mjekët.
Në rast se konstatohen shkelje, drejtoria do të marrë masa administrative ndaj tyre.
Ju mendoni të reduktoni shtrimet në urgjencë, ndërkohë ky shërbim vuan mungesën e ajisjeve për diagnostikimet e ekzaminimet?
- Duke iu referuar disa rasteve të pakëndshme që kanë ndodhur kohët e fundit në shërbimin e urgjencave, kam urdhëruar shërbim 24-orësh të laboratorit të analizave dhe imazheri konvencionale.
Për të mos lejuar mbipopullimin e pacientëve u kam kërkuar shefave të pavioneve të Kardiologjisë (kati i parë, kati i dytë) të rezervojnë çdo ditë të paktën 3 shtretër për çdo pavijon për të sëmurët e Urgjencës së spitalit nr 1.
Pavionet e tjera të sëmundjeve të Brendshme duhet të kenë çdo ditë në dispozicion të Urgjencës, të paktën 2 shtretër për pavijon.
Z.Dashi, pse ishte i nevojshëm ky urdhër në këtë moment?
- Marrja e këtij urdhri ishte një domosdoshmëri, pasi zbatimi i sistemit të referimit solli uljen e numrit të konsultave dhe rritjen e numrit të personave të shtruar në Urgjencë. Ky Urdhër do të sjellë mirë funksionimin e sistemit të urgjencës, pasi parashikon që asnjë nga pacientët të mos qëndrojë më shumë se 24 orë i shtruar në Urgjencë.
b.a/NOA