English

Libri, 150 vjet fotografi shqiptare

Montreal, 24 shkurt, NOA - Studiuesi dhe pionieri i kritikës së fotografisë, Qerim Vrioni, ka botuar librin "150 vjet fotografi shqiptare". Ai është një udhëtim i këndshëm në historinë e fotografisë në përgjithësi, dhe asaj shqiptare në veçanti. Rëndësia e librit është e jashtëzakonshme pasi fotografia ka një vend të veçantë në jetën tonë të përditshme. Duke u nisur nga fakti që fotografia shoqëron shtypin e shtypur si gazetat apo revistat por edhe nga fakti që fotografia është një nga përbërësit bazë të mediave dixhitale siç janë faqet në internet, kuptohet rëndësia e një libri që flet pikërisht për këtë element të mediave.

Duke lexuar librin e Qerim Vrionit, nuk ka se si të mos ndihesh krenar për vjetërsinë e këtij arti që në Shqipëri i ka fillimet vetëm 32 vjet pasi francezi Nipsë realizoi fotografinë e parë më 1826.

Por, ky art që në Shqipëri ka lindur në kryeqendrën kulturore të Shqipërisë së Veriut Shkodër, nga Pjetër Marubi më 1858, nuk dallohet vetëm për vjetërsinë por edhe me atë cilësi që ai reflektoi duke u bërë një nga artet shqiptare më të njohur nga bota.

Nëpërmjet faqeve të librit ne mësojmë për fotografët shkodranë, dardharë por edhe të tjerë që ecën në gjurmët e këtyre.

Autori i librit na njeh me një histori të pasur (që ka ende faqe të pazbuluara...) 150 vjeçare të cilën ai e ndan në tri periusha që janë: Periudha e parë, që nga lindja më1858 gjer më 1944; Periudha e dytë nga 1944 deri më 1990 dhe e treta pas 1990 gjer në ditët tona.

Sigurisht do të ishte e mërzitshme të përshkruanim ato çka autori i përshkruan aq bukur në libër, por ideja është se arti i fotografisë nga një pasion u kthye në një art, art që në periudhën e dytë u mbyt si çdo art apo veprimtari tjetër private. Por edhe aty, pati artist që lanë vepra të pastra e larg nga kënd vështrimi i fillit të kuq që duhet të udhëhiqte edhe artin e fotografisë.

Ka rëndësi të përmendet paraqitja që Vrioni i bënë fotografisë shqiptare sot. Kapitulli që flet për këtë periudhë është një radiografi e këtij arti sot, sepse ajo paraqet sukseset por edhe dobësitë e tij.

Sukseset janë individuale ndërsa dobësia vërehet tek mungesa e organizimit që varet nga vetë artistët por edhe nga shteti, organet dhe institucionet përgjegjëse.

Vendi ynë është nga të rrallët që nuk kanë një akademi fotografie.

Nga ana tjetër, autori duke vlerësuar aktivitetet siç është konkursi i përvitshëm "Marubi" i organizuar nga Galeria Kombëtare e Arteve dhe Ministria e Kulturës që nga 1998 por edhe këtu sundon mungesa apo aktiviteti sporadik.

Libri "150 vjet fotografi shqiptare" ka vlera për faktin se flet për një art që e konsumojmë për ditë, për një art tê zhvilluar në Shqipëri por për cilin flitet pak dhe ky vlerësim mund të bëhet për librin e Qerim Vrionit edhe pa e lexuar.

a.n/n.e/NOA

KOMENTE