Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, tha se Rusia dhe NATO-ja duhet të bashkëpunojnë më tepër njëra me tjetrën për t'i luftuar kërcënimet trans-nacionale, siç janë: zgjerimi bërthamor, terrorizmi, pirateria dhe siguria në internet. Gjatë fjalimit të saj, mbrëmë në Uashington, për të ardhmen e Aleancës ushtarake trans-atlantike, zonja Klinton refuzoi propozimin e Rusisë për një marrëveshje të re evropiane të sigurisë
Heather Maher
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, tha se ndërmjet NATO-s dhe Rusisë synohen raporte që do të jepnin rezultate konkrete.
"Derisa Rusia ballafaqohet me sfida për sigurinë e saj, NATO-ja nuk është në mesin e tyre. Ne dëshirojmë raporte bashkëpunuese NATO-Rusi, që prodhojnë rezultate konkrete dhe e çojnë NATO-n dhe Rusinë më afër së bashku", tha Hillari Klinton, gjatë fjalimit të saj në institutin Këshilli Atlantik në Uashington. Derisa NATO-ja është zgjeruar në lindje gjatë viteve të fundit, përfshirë edhe vendet baltike dhe disa shtete ballkanike, Rusia këtë e shikon me dyshime të thella. Moska fuqishëm i kundërshton planet e NATO-s për ofrimin e anëtarësisë për Gjeorgjinë dhe Ukrainën, që ende i shikon si pjesë të saj të interesit. Rusia po ashtu fuqishëm i kundërshton planet e Shteteve të Bashkuara për ndërtimin e një pjese të sistemit të mbrojtjes raketore në Rumani, pas anulimit të planeve për ta bërë këtë në Poloni dhe në Çeki. Prejse u bë president i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama ka zhvilluar një politikë të ripërtëritjes së marrëdhënieve Amerikë-Rusi, që ishin dëmtuar pas luftës së shkurtër ndërmjet Rusisë dhe Gjeorgjisë, në vitin 2008. Në fjalimin e saj, Hillari Klinton tha se e di për zemërimin e Moskës lidhur me Rumaninë dhe shkoi një hap më tutje, duke ofruar siguri se sistemi nuk e ka për qëllim Rusinë. "Ne na duhet që Rusinë ta bëjmë partner në përpjekjet tona për parandalimin e zgjerimit bërthamor dhe në mbrojtjen raketore. Ne e ftojmë Rusinë që t'i bashkohet NATO-s në zhvillimin e sistemit të mbrojtjes raketore, që do t'i mbrojë të gjithë banorët e Evropës dhe Rusisë", tha Hillari Klinton e cituar nga radio Evropa e Lirë. Zonja Klinton po ashtu dërgoi mesazh për Rusinë se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për sigurinë evropiane, përkundër faktit se aktualisht vëmendja e tyre është përqendruar në zhvillimet në Iran, Afganistan, Irak dhe bile edhe në Kinë. Ajo, më tutje, tha se Evropa do të përfitonte në aspektin e sigurisë, "nëse Aleanca dhe Rusia janë më të hapura lidhur me armatimet dhe kapacitetet tona ushtarake". Zyrtarja e lartë amerikane kundërshtoi planet e Moskës për një marrëveshje të re evropiane të sigurisë, për të cilën Uashingtoni beson se do ta reduktonte ndikimin e NATO-s në botë. Zonja Klinton theksoi se NATO-ja duhet të mendojë për doktrinën e saj udhëzuese të "konceptit strategjik", për t'i reflektuar kërcënimet e reja me të cilat ballafaqohen të 28 vendet anëtare të saj. Sipas saj, parimet udhëzuese të misionit të NATO-s ende janë relevante, por metodat e NATO-s duhet të ndryshojnë.