English

PS: Berishës t'i dalë frika nga kutitë

Tiranë, 24 Shkurt NOA - "Hetim pa hapjen e kutive nuk ka e nuk mund të ketë. Për këtë arsye nuk mund të ketë as zgjidhje të krizës, në rast se Partisë Socialiste i mohohet me pa të drejtë, kjo e drejtë elementare kushtetuese". Kështu deklaroi sot Mimi Kodheli, deputete e opozitës.

Në emër të Partisë Socialiste, Kodheli theksoi edhe njëherë qëndrimin ton në raport me krizën politike që ka mbërthyer Shqipërinë kur tha se PS i qëndron besnike kauzës së transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit.

Kjo transparencë tha Kodheli, - mund të arrihet thjesht e vetëm përmes një hetimi të plotë e të hollësishëm të procesit zgjedhor, pjesë e domosdoshme e të cilit duhet të jetë hapja e kutive të votimit dhe shqyrtimi i materialeve zgjedhore që gjenden aty.

Sipas Kodhelit, kjo kërkesë kushtetuese e Partisë Socialiste për të realizuar një të drejtë që ia njeh ligji e Kushtetuta nuk është hedhur poshtë në asnjë rast nga partnerët tanë ndërkombëtarë.

Kodheli vlerësoi se as në takimet pa praninë e medias dhe as në deklaratën finale të delegacionit të Këshillit te Evropës, nuk është thënë që kutitë nuk duhen hapur. Përkundrazi, në fjalën e tij, Presidenti i Asamblesë Parlamentare, zoti Cavushoglu, është shprehur se Këshilli i Evropës pret progres pozitiv për çështjen e hapjes së kutive.

Prandaj ne sot, i bëjmë sërish thirrje Sali Berishës që të mos e zvarrisë e thellojë më tej krizën politike, të mos fshihet më, pas vendimeve të paqena të gjykatave, por të lejojë hetim te plotë të zgjedhjeve nga një komision parlamentar me objekt të pakufizuar, - ka theksuar Kodheli.

Ajo citoi se "siç kanë theksuar disa herë edhe miqtë tanë ndërkombëtarë, as qeveria dhe sidomos as Sali Berisha nuk ka pse të kenë frikë nga hapja e kutive. Mbi të gjitha, nëse ata janë të bindur për standardet e zgjedhjeve, Berisha duhet të ishte i pari që të pranonte hapjen e kutive si garanci për transparencën e zgjedhjeve".

Kurse në përfundim, Kodheli deklaroi se kjo është e mundur, ligjërisht dhe kushtetutshmërish, duke apeluar: "Mjafton që Sali Berishës t'i dalë frika nga hapja e kutive".

e.r/NOA

KOMENTE