English

Rama: Nuk i marrin dot peng mandatet e PS

Tiranë, 24 shkurt, NOA - Mandatet e deputetëve socialistë nuk i merr dot peng askush, që shpreson se lojën me to do ta kthejë në një garë "E ka kush e ka", duke pretenduar tërheqjen e tyre nga kërkesa për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit.

Me një deklaratë të tillë, kryesocialisti Edi Rama është shprehur gjatë një konference për shtyp para mbledhjes së grupit parlamentar socialist, në të cilin pritet të diskutohet pas pak vendimi për futjen në parlament të deputetëve socialistë.

"Ky pushtet dëshiron që mandatet e socialistëve të mbeten në duart e Saliut, Ramës dhe Metës dhe atij i shkon mendja prej 6 muajsh se ne do biem në kurth", tha Rama.

Duke shtuar se kjo treshe politikanësh "ka bërë të gjitha provokimet e mundshme për të ndalur opozitën në përpjekjen e pandalshme, për të zbardhur krimin elektoral të 28 qershorit".

Më tej, ai paralajmëroi se marsi do të jetë muaji i ngritjes së opozitës në një valë protestash, për të siguruar transparencën e plotë dhe pa kushte të zgjedhjeve.

"E kemi njohur rezultatin e zgjedhjeve edhe pse jemi grabitur nga pushteti. Nuk duam rinumërim për të ndryshuar rezultatin, por për të hetuar manipulimet. Bojkoti nuk është zgjidhja jonë, por rruga e vetme që na lanë", tha më tej kryesocialisti.

Në fund, ai deklaroi se opozita e ka gati çelësin e kthimit të saj në parlament dhe se "nesër do t'ia lërë në dorë Sali Berishës të vendosë nëse e do opozitën në sallë apo jo".

n.e/NOA

KOMENTE