English

Reshjet, ndërhyn ushtria në Shkodër

Shkodër, 24 shkurt, NOA - Komisioni i Emergjencave Civile i mbledhur sot në Shkodër e ka vlerësuar serioze situatën e krijuar nga reshjet e dendura gjatë ditëve të fundit. Sipas ministrisë së Brendshme, "përgjatë tri javëve ka rënë mbi 600 milimetra shi, dhe vetëm 12 orët e fundit ka rënë 70 milimetra shi".

Për këtë qëlli ministri i Brendshëm, Lulzim Basha mblodhi sot në Shkodër Komisionin e Emergjencave Civile për të analizuar situatën e krijuar nga reshjet e shiut që vijojnë pa ndërprerje që prej 23 ditësh.

Situata e krijuar nga reshjet ka sjellë probleme në lagjet periferike të qytetit Shkodër, si në Bahçallëk, Ajasëm, Livadhe, Lagja "Mar Lulaj". Gjithashtu, probleme ka në fshatrat Kuç dhe Vukatanë të Komunës Guri i Zi, në fshatin Obot të komunës Ana e Malit si dhe në Dajç.

"Shkarkimet nga H/C i Vaut të Dejës janë 1300 m3/s. Prurjet nga Lumi Kir janë 800 m3/s, nga Lumi Gjadër rreth 200 m3/s. Niveli i hidrometrit të Dajçit është 6,55 m, ndërsa i Urës së Bunës 8,55 m" thuhet në njoftimin e ministrisë së Brendëshme.

Mbledhja e Komisionit të Emergjencave Civile vendosi marrjen e masave dhe Krijimin e Qendrës Operacionale pranë Institucionit të Prefektit me numrat e telefonit sipas zyrave përkatëse, të cilat të marrin masat e duhura për hartimin e planeve operacionale dhe krijimin e infrastrukturës së tyre për drejtimin e strukturave në funksion të evakuimit dhe transportimit të banorëve.

Gjithashtu u vendos mbështetja e strukturave aktuale të policisë dhe ushtrisë të dislokuara në Shkodër, me forca e mjete të tjera të strukturave mbështetëse të Policisë së Shtetit dhe Forcave të Armatosura.

m.xh/NOA

KOMENTE