Tiranë, 24 shkurt, NOA - Tre të burgosur të qendrës së paraburgimit në Guantanamo janë transferuar në Shqipëri.
Lajmi konfirmohet për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet zyrtare të ministrisë së Brendshme, sipas të cilave të ardhurit janë Saleh bin Hadi Asasi me kombësi tuniziane, Sharif Fati Ali al Mishad me kombësi egjiptiane dhe Abdul Rauf Omar Mohammad Abu al Qusin, me kombësi libiane.
"Këto transferime u bënë në bazë të marrëveshjes individuale midis qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe qeverisë shqiptare. Dy qeveritë koordinuan midis tyre mbi modalitetet e transferimit dhe angazhohen të vazhdojnë konsultimet në lidhje me trajtimin e këtyre personave", thuhet në njoftimin zyrtar të ministrisë së Brendshme.
Më tej, bëhet me dijeni se ky transferim vjen si rezultat i angazhimeve konkrete që qeveria shqiptare ka marrë për të mbështetur inisiativën e administratës së presidentit Obama për mbylljen e qendrës së Guantanamos dhe transferimin e të paraburgosurve në vende mike dhe të sigurta.
Me pranimin e këtyre tre individëve, numri total i të transferuarve nga Guantanamo në Shqipëri shkon në 11.
n.e/NOA