Mitilini, 25 Shkurt NOA - Duhet të shkonte me patjetër në Shqipëri të shihte prindërit e saj por merak të vetëm kishte vajzën që nuk mund ta linte dot vetëm. Për të qenë e qetë, ka vendosur t'ia besojë familjes fqinje, pa e menduar kurrë se do të ishte pikërisht fqinji që do të abuzonte seksualisht me të bijën.
Ngjarja ka shokuar rajonin e Mitilinit në Greqi ku një 39 vjeçare shqiptare, emigrante nga jugu i vendit tonë, e cila jeton me vajzën 14 vjeçe dhe të shoqin e saj 41 vjeçar në një banesë në këtë qytet grek, ku për fqinjë kishin një tjetër familje shqiptare.
Korrespondenti i agjencisë NOA, duke cituar burimet policore dhe ato të hetimit, informon se nëna denoncoi në policinë lokale dëshminë rrënqethëse të të bijës 14 vjeçe e cila pranoi se prej disa kohësh abuzohej rregullisht nga fqinji i tyre 37 vjeçar.
Nga hetimi doli se gjithçka ka nisur në muajin gusht të vitit që shkoi.
37-vjeçarja ka vendosur të niset për në Shqipëri për të takuar prindërit e saj.
Bashkë me të shoqin ata kanë menduar që gjatë ditëve kur ajo do të mungonte, të bijën gjatë ditës, ta mbajë nën vëzhgim familja fqinje deri në orën 5 pasdite kur i ati të kthehej nga puna.
Dhe ashtu kanë bërë. Në mëngjes, kur babai dilte për në punë, e çonte të bijën te fqinjët e tyre, pa e ditur se po ia çonte në gojë ujkut.
Me t'u kthyer nga Shqipëria, mamaja e të miturës, të parën gjë që bëri, ishte të takonte fqinjin me të shoqen dhe t'i falënderonte ata fort, për ndihmën që i dhanë duke mbajtur gjatë ditës të bijën.
Por me t'u futur në shtëpi, 39-vjeçarja është shokuar kur ka arritur të kuptojë, disa muaj më vonë, se me të bijën diçka kishte ndodhur. E tmerruar ajo ka dëgjuar nga goja e të bijës, pohimin se fqinji i tyre e ngacmonte seksualisht.
"Prindërit e vajzës pohuan në denoncimin e tyre se fqinji 37 vjeçar shfrytëzonte besimin e tyre duke abuzuar seksualisht me të bijën, në shtëpinë e tij gjatë kohës kur atje nuk gjendej e shoqja", - i thanë agjencisë NOA, burime zyrtare hetimore në policinë e Mitilinit.
Nga denoncimi, nëna citohet të ketë pohuar se para disa ditësh i kishte kapur rastësisht në celular disa thirrje dhe sms që ajo kishte shkëmbyer me prindin e shoqes fqinjë dhe më pas ishte sqaruar se e vogla kishte pasur ngacmime seksuale nga 37-vjeçari dhe e ndjerë në faj dhe turp, nuk i kishte treguar të ëmës.
Mësohet se dy familjet kishin disa vite që ishin njohur për shkak të faktit se ishin pranë me banesat e tyre.
Pas denoncimit, 37-vjeçari është arrestuar dhe gjykata do të vlerësojë masën e sigurisë ndaj tij, kurse hetimet po vazhdojnë për të zbardhur rrethanat e plota, pasi ekspertiza e mjekëve nxori faktin se mbi të voglën ishte ushtruar ngacmim seksual por pa elementë dhune.
n.s/NOA