English

Berisha fton investitorët e energjisë

Tiranë, 25 shkurt, NOA - Kryeministri Sali Berisha ka ftuar për investime në sektorin e energjisë së rinovueshme një prej kompanive lider në këtë fushë.

Ai është takuar sot me presidentin e kompanisë prestigjoze spanjolle, "Iberdrola", e cila është e katërta për nga madhësia në botë, e para në fushën e energjisë të rinovueshme dhe të erës, e pranishme në shumë vende të botës.

"Kryeministri Berisha e njohu presidentin e kompanisë "Ibedrola" me mundësitë e shumta që ofron Shqipëria, në lëmin e partneriteteve publike private, në marrëveshjet koncensionare për 440 hidrocentrale të vogla, në platformat për prodhimin e energjisë nga era dhe masat organike, apo në kaskadat e Vjosës, duke qenë kështu një vend tepër atraktiv për investimet e huaja", thuhet në njoftimin e kryeministrisë në lidhje me takimin.

Gjithashtu, Kryeministri Berisha ka falënderuar kompaninë për prezencën e saj në Shqipëri, ndër të tjera edhe me projektin e rëndësishëm për rrjetin elektrik të qytetit të Fierit dhe e ftoi për bashkëpunim në të ardhmen në fusha të tjera, në sektorin e energjisë.

m.xh/NOA

KOMENTE