Opozita del nga Kuvendi: Berisha na provokoi
PS hyn në Kuvend, nisi seanca
Kush janë deputetët e Kuvendit
Ruçi: Po i japim shans Kuvendit
Patozi: Thyerja e bojkotit të vazhdojë
Berisha: Opozitës, çdo gjë për zgjedhjet
Tiranë, 25 shkurt, NOA- Është shoqëruar me replika mes njëri-tjetrit fjalimi i socialistit Ruçi dhe kryeministrit Berisha gjatë seancën plenare, në të cilën opozita u paraqit pas kaq kohësh.
Ndërsa Ruçi në fjalën e tij tha se "Topi është në fushën e Berishës", ky i fundit ka cituar me ironi më pas se "në fëmijërinë e tij të hershme nuk ka patur top, por kalë dhe se që atëherë ka mbetur kavalier".
Por kësaj shprehje të tij, deputeti socialist i është kundërvënë menjëherë duke i thënë me shpoti se "kali ka ngordhur" dhe se "nuk mund të jesh një kavalier kur vendi është në krizë".
"Të shërojmë kalin dhe jo kavalierin, ndaj erdhëm këtu që të gjejmë zgjidhjen, në të kundërt opozita është e detyruar të largohet nga salla", përfunduan replikat mes dy diskutantëve, duke u shoqëruar vërtet me largimin e deputetëve socialistë nga salla e Kuvendit.
Batutat e plota Berisha-Ruçi
Berisha:
Zoti Ruçi, ju e mbyllët fjalën tuaj duke më thënë se topi është në fushën time. Do të më lejosh të bëj një shpjegim. Në fëmijërinë time të hershme, në fshatin tim nuk kishte top. Po unë kisha kalë dhe që nga fëmijëria e deri më sot unë kam mbetur kavalier. Çfarë t'i bëj unë topit, i dashur?"
Ruçi:
"I dëgjova si përfaqësuesin e mazhorancës dhe kryeministrin. Më lejoni të shpreh qëndrimin e grupit parlamentar të PS, ishin një fyerje dhe një provokim për grupin parlamentar të PS në një kohë që jemi këtu për një reflektim, ju jo vetëm që na fyet po dhe na provokuat. Së dyti ju zoti kryeministër filluat të na përkëdhelni, opozita nuk joshet dhe nuk përkëdhelet nga kryeministri. Erdhëm këtu për zgjidhje ju në fjalën tuaj përdorët justifikimet e ndryshme, ne nuk erdhëm për justifikime dhe hodhëm një hap për zgjidhjen e krizës. Nuk i duam shumë hapësira, nuk i presim nga ju, opozita e një vendi nuk është për të funksionuar mbi hapësirat që i jepni ju, përsa i përket topit dhe kalit gjetja s'është e gjetur. Opozita hodhi një hap konkret dhe ju pa e lexuar fare dhatë përgjigjen që as doni ta lexoni. Thamë tu japim kohë njëri tjetrit, ju thatë jeni kavalier, zoti Berisha po kur ka ngordhur kali si i bëhet, ja pse kemi ardhur ne zoti Berisha jo për kavalierin por për kalin, vendi në krizë politike ekonomike e institucionale. Të shërojmë kalin dhe jo kavalierin, ndaj erdhëm këtu që të gjejmë zgjidhjen, në të kundërt opozita është e detyruar të largohet nga salla".
n.e/NOA