Itali, 25 Shkurt NOA - Janë mbyllur dy sfidat e djeshme të Champions League ku Inter ka arritur të mundë Çelsin dhe në sfidën tjetër asaj mes CSKA së Moskës dhe Sevilias skuadrat janë ndarë me një barazim.
Në sfidën e parë zikaltërit e Mourinjos arritën të fitonin edhe pse mund të themi se ekipi i Ançelotit për pjesën më të madhe të saj arriti të kontrollonte ndeshjen.
Të parët që kaluan në avantazh ishin vendasit, falë golit të realizuar nga Milito në minutën e 3 të pjesës së parë. Më pas Çelsi vazhdoi të ushtronte presion mbi ekipin e Interit ku për tu përmendur është goditja e traversës nga Drogba i cili realizoi një goditje dënimi mjaft të bukur. Më pas në pjesën e dytë, "blutë" e Londrës arritën të barazonin rezultatin dhe kjo erdhi falë golit të Salomon Kalou i cili goditi nga jashtë zone duke e kapur në befasi portierin e Interit, Julio Cesar.
Rezultati përfundimtar i kësaj gare u vendos nga argjentinasi Cambiaso i cili shënoi golin e fitores për Interin në minutën e 55 të garës duke arritur që në sfidën e parë, zikaltërit, të merrnin një fitore mjaft të rëndësishme.
Në sfidën tjetër e cila u zhvillua në orën 18.30 nuk pati fitues ku rezultati final i kësaj gare ishte një barazim 1 me 1.
Ishin të ftuarit të cilët kaluan të parët në avantazh ku realizuan me anë të Negredo në minutën e 25 të pjesës së parë. Më pas Rusët arritën të barazonin rezultatin duke vendosur dhe atë final të garës me anë të Mark González, në minutën e 66.
Kjo ndeshje favorizon më shumë ekipin spanjoll për të vazhduar më tej duke parë që Sevilia ndeshjen e kthimit do ta luajë në fushën e saj, e cila është në program më datë 16 mars.
r.b/NOA