English

Dokle: Kutitë, ose dalim sërish nga Kuvendi

Tiranë, 25 shkurt, NOA - Deputeti i Partisë Socialiste, Namik Dokle konfirmoi pas mbledhjes së grupit të selisë rozë se edhe pas hyrjes së sotme në Kuvend, nëse nuk do hapen kutitë, deputetët e PS-së do të dalin sërish.

Dokle tha për mediat se do të propozohen dy projektligje që u garantojnë të gjitha forcave politike transparencën për procesin zgjedhor.

"Mbledhja e sotme e Grupit Parlamentar, ishte vazhdim i mbledhjes së djeshme, në të cilin u morë një vendim politik, që PS sot do të shkojnë në Parlament, për të bërë betimin dhe njëkohësisht për t'i paraqitur Parlamentit një draft për ngritjen e komisionit hetimor, i cili përfshin një hetim të pakufizuar dhe të pakushtëzuar. Pra, për një transparencë të plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit dhe një tjetër projektligj që do t'i shërbejë një standardi evropian të Shqipërisë lidhur me zgjedhjet. Një ligj i cili garanton cilindo parti politike që ka ankesa për zgjedhjet, qofshin të përgjithshme apo lokale, që të kërkoj hapjen e kutive, hetimin e plotë të zgjedhjeve, hetim të pakushtëzuar dhe të pakufizuar me transparencë të plotë", u shpreh Dokle.

Po nga ana tjetër ai theksoi se nëse nuk plotësohet ky kusht, deputetë do të dalin sërisht nga Kuvendi pasi të kenë bërë betimin.

"Ne duke ia lënë këto dy drafte mazhorancës, presim reagimin e saj në lidhje me këto dy propozime që janë pjesë e standardeve evropiane që Shqipëria duhet tashmë të fitoj në pragun e anëtarësimit në BE dhe si një vend anëtar i NATO. Është e drejta dhe detyrimi i PD-së, i mazhorancës dhe i qeverisë që të reflektoj mbi këtë bazë, sepse ne hyjmë në parlament për të mos dalë, por edhe për të mos qëndruar nëse nuk garantohet transparenca e plotë e zgjedhjeve", u shpreh.

Dokle u shpreh se kriza politike zgjidhjet nëpërmjet dy drafteve dhe se deputetwt e PS-sw nuk mund të rrinw në Parlament mbi kutitë e mbyllura.

"Kutitë mund të hapen me vendim Parlamenti ose pastaj ne do të kërkojmë deri në fund hapjen e kutive bashkë me popullin opozitar", u shpreh Dokle.

Propozimet ligjore të PS-së kanë të bëjnë me ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit, si dhe një draft tjetër që i garanton çdo force politike që ka ankesa për procesin zgjedhor, që të kërkoj hetim të plotë dhe të pakushtëzuar.

m.xh/NOA

KOMENTE