English

Ekstradohen dy, nga SHBA dhe Italia

Tiranë, 25 shkurt, NOA - Dy shqiptarë të cilët ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar për kryerjen e veprave penale, kanë mbërritur sot në aeroportin e Rinasit sajë kapjes së tyre nga forcat e Interpolit.

Lajmi bëhet me dije posaçërisht për agjencinë e Lajmeve NOA nga burime zyrtare të policisë, sipas të cilave personi i parë i ekstraduar nga SHBA është Shkëlqim Qosaj, 33 vjeç, lindur në Bërdicë të Shkodërs.

Ai është dënuar me 20 vjet burg për kryerjen e veprës penale të "Vrasjes me paramendim" dhe "Armëmbajtjes pa leje", parashikuar nga nenet 78 e 278/2 të Kodit Penal.

Kjo pasi në Bërdicë ai ka qëlluar me armë zjarri Zef Prekën i cili po udhëtonte me makinë, duke i shkaktuar atij vdekjen dhe kjo pasi autori i krimit kishte një marrëdhënie me motrën e viktimës.

Ndërsa personi i dytë i ekstraduar nga Milano është 33-vjeçari Astrit Lika, lindur në Fushë-Mamurras, i dënuar me 25 vjet burg për kryerjen e veprës penale të "Vrasjes me paramendim", parashikuar nga neni 78 i Kodit Penal.

Kjo pasi në datën 25.01.2008, në Fushë-Mamurras, Lika ka vrarë me armë zjarri Gëzim Lleshin për motive të dobëta.

Në aeroportin "Nënë Tereza" në Rinas këta dy persona u janë dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

n.e/NOA

KOMENTE