English

Kreu i "Azem Hajdarit" kërkon azil politik

Athinë, 25 Shkurt NOA - Kryetari i Shoqatës "Azem Hajdari" kërkon azil politik në Greqi. Marjan Gryka, ish-truproja i të ndjerit Azem Hajdari, gjendet prej pesë ditësh në Greqi dhe konfirmohet se ka bërë kërkesën zyrtare për azil politik pranë autoriteteve në Athinë, informon korrespondenti i agjencisë NOA.

Matjan Gryka, pasi ka mbërritur me avion në aeroportin "Elefteros Venizelos", ka deklaruar se "unë erdha këtu në Greqi për të kërkuar azil politik".

"Po e bëj këtë kërkesë, - ka vijuar Gryka, - për shkak se jeta ime por edhe jeta e familjes sime, rrezikohet seriozisht në Shqipëri".

Menjëherë pas kërkesës për azil politik, Policia e Athinës komunikoi se ka marrë vendimin për të marrë nën mbrojtje të posaçme.

Gryka ka deklaruar për policinë greke edhe faktin se kishte kërkuar nga Prokurorja e Përgjithshme e Shqipërisë, Ina Rama, rihapjen e çështjes që lidhet me vrasjen e Azem Hajdarit në muajin shtator 1998 pranë selisë qendrore të Partisë Demokratike në Tiranë.

Gryka ka deklaruar se ajo që priste tani pas shtrimit të kësaj kërkese, ishin vetëm plumbat, ndaj edhe ka vendosur që të kërkojë azil politik për vete dhe familjen e tij, në Greqi.

Autoritetet policore greke në Athinë, konfirmuan se para se të vinte në Greqi, Marjan gryka disa herë i kishte deklaruar në rrugë të ndryshme se kishte frikë se atij dhe familjes së tij, i rrezikohej jeta në Shqipëri.

Më 27 shtator 2008, Marjan Gryka denoncoi se në fshatin Zogaj të Shkodrës, persona të armatosur dhe të maskuar i bënë një atentat duke e lënë të plagosur.

Pak kohë më vonë, policia dhe prokuroria deklaruan se atentati ishte një sajesë e Grykës dhe pretenduan se ai ishte vetëplagosur.

Vetë Gryka tha pas ngjarjes se ai u vu në shënjestër të plumbave, pak pasi kishte kërkuar publikisht hapjen e hetimit sërish për vrasjen e deputetit dhe kryetarit të parë të PD, Azem Hajdari.

Në letrën që Marjan Gryka i ka dërguar Prokurores së Përgjithshme Ina Rama duke kërkuar rihapjen e hetimeve për vrasjen e liderit të dhjetorit Azem Hajdari, shtronte dhe kërkesën që "hetimet të rinisin nga dëshmia që duhet të japë para organeve të rendit kryeministri aktual Sali Berisha", pasi sipas Grykës, "Berisha është në dijeni të ngjarjes së ndodhur më 12 shtator 1998".

n.s/e.r/NOA

KOMENTE