Uashington, 25 shkurt, NOA - Kreu i operacioneve globale të Tojotës ka kërkuar publikisht falje për problemet e sigurisë në makinat e fundit Toyota, të cilat kanë çuar në tërheqjen e mëse 8.6 milionë makina për riparime falas. Bëhet fjalë për problemet me pedalin e gazit që ka çuar në disa raste vdekjesh në Shtetet e Bashkuara. Lidhur me to, Akio Toyota premtoi ndryshime të rrënjësishme në mënyrën e ndërtimit të makinave të këtij lloji.
Ai ka dhënë një dëshmi para komisionit të Kongresit Amerikan për të gjithë atë që ka ndodhur dhe ka premtuar të bëjë gjithçka të mundur për të siguruar që defektet e sigurisë që kanë sjellë disa vdekje të mos ndodhin përsëri.
"Të gjitha makinat e Tojotës mbajnë emrin tim. Për mua kur makinat dëmtohen, është sikur të më ketë ndodhur mua", tha ai.
Ky në fakt është nipi i themeluesit të Tojotës dhe premtoi të bëjë çdo gjë të mundur për të rivendosur besimin e konsumatorëve dhe për ta bërë atë si markën më të sigurtë në botë.
Ndërkaq, kreu i operacioneve globale të Toyotës thotë se rritja e shpejtë e kompanisë mund të ketë qenë një ndër shkaqet që çuan në problemet e sigurisë së automjeteve.
n.e/NOA