Tiranë, 25 shkurt, NOA - Pas afro gjashtë muajsh bojkoti të institucionit të legjislativit, opozita sot do të marrë pjesë në seancën e tij të radhës.
Vendimi i marrë dje në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, pritet të bëhet sot realitet, duke bërë kështu që 64 deputetët e selisë rozë të zënë vendet e tyre të boshatisura prej kohësh në sallën e Kuvendit.
Bëhet me dije se ka një plan për të hyrë dhe dalë sërish nga Kuvendi, menjëherë sa të kenë kryer betimin dhe më pas të kenë paraqitur propozimin për ndërmarrjen e një nisme ligjore për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit.
Por jo të gjithë deputetët socialistë duket se janë dakord me një vendim të tillë.
Vetë përfaqësuesi i Lëvizjes për Mendim Ndryshe në selinë rozë, Ben Blushi, e konsideroi këtë si një veprim qesharak nëse do të kryhet.
n.e/NOA