Tiranë, 25 shkurt, NOA - Situata e shkaktuar nga përmbytjet e ditëve të fundit në veri të vendit paraqitet sërish e rënduar, gati si pak javë më parë gjatë fazës së parë të tyre.
Një fakt i tillë është komunikuar publikisht nga ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit, Genc Ruli, gjatë mbledhjes së Shtabit të Emergjencave Civile duke pohuar se zonat më të goditura këtë herë janë ato të Shkodrës dhe të Korçës.
"Aktualisht, rezultojnë të jenë 3600 hektarë tokë të përmbytura në Dajç, Ana e Malit, Velipojë dhe Bushat në zonën e Shkodrës", raportoi ministri lidhur me përmbytjet në Shkodër.
Në lidhje me këtë, ai ka paralajmëruar edhe mbi mundësinë e rinisjes së evakuimeve të qytetarëve.
"Ndërsa në Korçë për shkak të çarjes së pjesshme të argjinaturës dhe fryrjes së Devollit kemi përmbytje në zonën e ish-Kënetës", tha më tej Ruli.
Sipas tij, më e rëndësishme është parandalimi i ndonjë erozioni, përmbytje apo çarje, por tani atje ku dëmtimet kanë ndodhur paraqitet emergjente ndërhyrja.
Më tej, ai vuri në dukje se vihet re edhe një rritje e nivelit maksimal të ujit në disa lumenj, si Devolli dhe Osumi.
n.e/NOA