English

"Mjaft": Berisha mos e rimerr SHISH-in

Më shumë foto, te Galeria

Tiranë, 25 shkurt, NOA - Lëvizja Mjaft! Shprehu sot shqetësimin mbi tentativën e fundit të qeverisë shqiptare për të kontrolluar tërësisht aktivitetin e Shërbimit Informativ Kombëtar (SHISH), duke e vendosur këtë të fundit nën tutelën e pakufizuar të Kryeministrit Sali Berisha.

Për më tepër, thotë Lëvizja, - ky projektligj nxjerr në pah edhe dëshirën personale të shefit të ekzekutivit, sikundër është provuar edhe në të shkuarën, për të pasur kontroll ekskluziv mbi çdo informacion shtetëror apo privat, deri në kufijtë e përgjimit të qytetarëve të tij.

Sakaq, Mjaft thotë se kompetencat për të përgjuar janë shtrirë në dy ministri (Ministria e Brendshme dhe ajo Financave), ndaj konformimi i SHISH me rregullin e përgjithshëm, nuk mund të shihet ndryshe veçse si një akt pervers tipik i neodiktaturave ish-sovjetike që shkon deri në kufijtë e vojerizmit.

"Kjo nismë tronditëse ekspozon edhe një herë vullnetin e ekzekutivit shqiptar për të uzurpuar çdo pushtet të mundshëm që ende nuk ndodhet nën kontrollin absolut të Kryeministrit dhe kabinetit të tij. Gjithashtu nxjerr në pah rreziqet në rritje që i kanosen demokracisë shqiptare dhe të drejtave e lirive tona themelore nga uria e klasës politike për pushtet të pakufizuar mbi qytetarët e këtij vendi", - thanë drejtues të Lëvizjes Mjaft sot para kryeministrisë ku me pankarta ironizuese ndaj Berishës, qëndruan për disa minuta.

Pjesëmarrësit thanë se ndonëse një nga detyrat e reja të Shërbimit Informativ lidhet me mbrojtjen e demokracisë parlamentare nga tentativat për ta përmbysur atë, në fakt vetë projektligji nuk bën tjetër përveçse zbeh kompetencat e parlamentit si institucioni më i lartë përfaqësues i vullnetit të qytetarëve, duke e kanalizuar kontrollin mbi shërbimet sekrete shqiptare në vendimmarrjen personale të Kryeministrit.

"Në këtë pikë, përtej renditjeve të përkeqësuara të Shqipërisë në raportet e institucioneve ndërkombëtare, alarmin e vërtetë duhet ta japin shqiptarët, qofshin këta të angazhuar në grupime të ndryshme apo si qytetarë të thjeshtë. Aq më shumë kur sjellja e qeverisësve të tyre po dëshmon një metamorfozë të sistemit nga një demokraci e brishtë e tranzicionit në një tirani të sofistikuar që kontrollon gjithçka", - ka përfunduar qëndrimi i Mjaft.

e.r/NOA

KOMENTE