Tiranë, 25 shkurt, NOA, Milena Selimi - Kremtimet e Vitit të Chopin 2010 në Shqipëri, hapen më datën 28 shkurt me një aktivitet kulturor-artistik të organizuar nga Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Shoqatën "F. Chopin", Shoqatën e Miqësisë Shqipëri-Poloni, Ambasadën e Polonisë dhe atë të Francës në Tiranë.
Në sheshin prapa Akademisë së Arteve, në rrugën "Lek Dukagjini", ku ndodhet busti i Chopin-it, të dielën, datë 28 shkurt, ora 11:00, do të kryhet ceremonia e zbulimit të pllakës me emërtimin e sheshit "Chopin" dhe do të jepet një koncert në natyrë me muzikë të pianistit të famshëm polak.
Qendra Kulturore Tirana i bashkangjitet këtyre kremtimeve me orkestrën frymore, të drejtuar nga dirigjenti Fatmir Koçi. Në repertorin e këtij koncerti në natyrë do të luhen pjesë nga e mirënjohura Anita Tartari dhe pianistë të rinj, ndërsa orchestra frymore do të interpretojë Vals Polonaise, Mazurca-re, tre himnet e Shqipërisë, Polonisë dhe Francës, si dhe pjesët, Studio Revolution dhe Grande Polonaise.
Viti i Chopin-it organizohet për të përkujtuar 200-vjetorin e lindjes së këtij kompozitori dhe pianistit virtuoz polak (1810-1849).
m.s/NOA