English

Opozita nisi ta lexojë drejt Kushtetutën

"Pavarësisht se kundërshtarë politikë, ne jemi shqiptarë, dhe kjo nuk e përjashton mundësinë për t'i kërkuar dhe bërë edhe favore njëri-tjetrit. Por e vetmja gjë, jashtë çdo logjike dhe diskutimi, është që të vijmë apo të ikim prej kësaj salle, për nder apo për inat të njëri-tjetrit"

Nga Astrit Patozi

Së pari do t'ju kërkoja ndjesë të gjithëve për mospërdorimin e fjalës "kuti", në gjithçka do të them më poshtë. Në fakt, fillimisht do të doja t'u uroja mirëseardhjen deputetëve të opozitës, duke përshëndetur dhe vlerësuar pozitivisht vendimin e Partisë Socialiste për t'i dhënë fund bojkotit dhe për të zënë vendet e saj në parlament. Është një urim që nuk niset kurrësesi nga pozita e të zotit të shtëpisë, pasi në këtë godinë apo tempull jemi njësoj bujtës dhe bashkëpronarë, dhe kështu do të jetë gjithmonë.

Sot, në fakt, është një ditë e zakonshme për ne, por shumë e veçantë për ju kolegë të opozitës. Sigurisht qe jeni te mirëseardhur, por jo aq të mezipritur prej nesh, sesa prej atyre mijëra zgjedhësve që ju kanë dhënë votën dhe besimin më 28 qershor, për interesat më të mira të vendit dhe në funksion të aspiratave të Shqipërisë për t'u integruar plotësisht në familjen europiane.

Pavarësisht se kundërshtarë politikë, ne jemi shqiptarë, dhe kjo nuk e përjashton mundësinë për t'i kërkuar dhe bërë edhe favore njëri-tjetrit. Por e vetmja gjë, jashtë çdo logjike dhe diskutimi, është që të vijmë apo të ikim prej kësaj salle, për nder apo për inat të njëri-tjetrit.

Ndaj edhe vendimi i Partisë Socialiste për të ndërprerë bojkotin në radhë të parë është respekt për ata që kanë votuar kundër qeverisë dhe mazhorancës së saj më 28 qershor, të cilët për gjashtë muaj me radhë kanë qenë pothuajse të papërfaqësuar.

Por pavarësisht se i mirëpritur në të gjitha aspektet, ne nuk mund të themi se kthimi i Partisë Socialiste në parlament nuk ishte i vonuar. Gjatë gjithë kohës së mungesës së opozitës ky parlament ka punuar me kapacitet të plotë, por edhe me sforcimin e panevojshëm për të ruajtur numrat për çdo seancë. Për ta aktualizuar pak me ngjarjet e ditës, i bie si të jesh në gjendje emergjence, pa pasur përmbytje apo ndonjë fatkeqësi tjetër natyrore.

Por ndërkohë ne jemi krenarë si mazhorancë se ky përqendrim energjish ia ka vlejtur, se në këto gjashtë muaj, me një eficencë të admirueshme, si asnjëherë tjetër në këto 19 vjet, janë miratuar shumë ligje dhe vendime të rëndësishme për vendin. Shumë prej tyre kanë pasur një vlerë të madhe në procesin e pakthyeshëm të liberalizimit të vizave dhe në hapat e mëtejshme integruese të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Duke mos qenë pjesë e kësaj vendimmarrjeje, grupi parlamentar i Partisë Socialiste është më shumë se për çdo gjë tjetër debitor me zgjedhësit e vet, të cilët, të paktën në këto pika, nuk kanë asnjë dallim me votuesit e mazhorancës.

Por ndoshta është më mirë të mos qajmë e vajtojmë për atë që tashmë ka kaluar. Siç e dimë të gjithë, vendi është i përfshirë në procese të pandalshme zhvillimi, për të cilat nuk mund të jetë kurrë vonë për të kontribuar. Para nesh janë sfida të reja, janë reforma dhe ligje, me shumicë të thjeshtë apo të cilësuar, që presin jo vetëm bashkëpunimin, por edhe kritikën, jo vetëm dialogun por edhe debatin e ashpër, jo vetëm votën, por edhe përmirësimin e mëtejshëm, që mund dhe duhet të vijë nga përfshirja e opozitës, roli i së cilës është i pazëvendësueshëm për çdo shoqëri të lirë dhe demokratike.

Të nderuar kolegë të opozitës,

Linja jonë politike nuk është personale, madje as partiake, sepse ajo është kombëtare. Por ne duam ta ndajmë me ju këtë filozofi, pa pasur asnjë kompleks që të ruajmë paketën kontrolluese apo copyright-in në këtë sipërmarrje të madhe. Ndërkohë na duhet të theksojmë sërish dhe pa asnjë hezitim se jemi krenarë me procesin zgjedhor më të mirë që Shqipëria ka zhvilluar ndonjëherë, i cili ishte i denjë për një vend anëtar të NATO-s dhe aspirant të Bashkimit Europian. Dhe se ato zgjedhje prodhuan parlamentin dhe qeverisjen më legjitime që ky vend ka pasur ndonjëherë në të gjithë historinë vet, pjesë e së cilave u bëtë edhe ju sot. Por kjo bindje e jona, që mbështetet në prova të pakontestueshme, që nga rezultati final i votuar 7 me 0 në të gjitha nivelet, e deri tek raportet, rezolutat dhe deklaratat e pafundme deri të një dite më parë, nuk na pengon ne që të trajtojmë me respekt dhe seriozitet çdo pretendim të opozitës për zgjedhjet që kaluan dhe sidomos shqetësimin e saj për proceset e ardhshme elektorale. Sepse ne nuk e kemi çuar nëpër mend ndonjëherë që t'i imponojmë opozitës bindjen tonë, në çdo rrethanë, madje edhe në rastin kur mungojnë plotësisht, jo vetëm provat, por edhe vetë argumentet.

Jeni në të drejtën tuaj të dyshoni, kontrolloni dhe kërkoni garanci për të sotmen e të ardhmen, por është po kaq e vërtetë se nuk mund të na kërkoni ne një borxh që nuk ua kemi marrë. Në funksion të lëvizjes suaj politike, që ju e paraqisni sikur ka për qëllim transparencën dhe zgjedhje më të mira në të ardhmen, mos lini gur pa lëvizur dhe aksion pa ndërmarrë, por gjithmonë në respekt të kushtetutës, ligjeve të vendit dhe rregullave të shtetit ligjor. Dhe ne jemi gati që t'ju ndjekim, edhe pse nuk kemi as dilemën më të vogël se e gjitha kjo është një përpjekje për të nxjerrë vendin dhe institucionet e tij nga shinat e normalitetit. Duhet të sqarojmë një herë e mirë publikun, se në të gjithë globin zhvillohen zgjedhjet një ditë, që pastaj të qeveriset për katër vjet. Në Shqipëri po kërkohet që të qeveriset një ditë, për të pasur zgjedhje katër vjet me radhë. Dhe ky absurd duhet të marrë fund një herë e mirë. Sot mund të ishte dita e duhur e marrjes së përgjegjësive.

Gjatë këtyre gjashtë muajve Partia Socialiste, apo më mirë të themi kryetari i saj, është përpjekur të mbajë me serum dhe oksigjen një kauzë të vdekur, apo më mirë të themi, një çështje që nuk ekziston. Gjithçka ka nisur dhe është vërtitur më pas rreth një spekulimi me një fragment të raportit të OSBE-ODIHR-it, të cilin ne e kemi pranuar dhe mbështetur plotësisht, por jo duke i shkëputur fjali nga konteksti. Sepse pas frazës në një të tretën e rasteve numërimi ishte i keq, vinte konkluzioni që nuk pati asnjë provë për manipulim dhe deformim të rezultatit. Kaq do t'i mjaftonte çdo force politike në botë që të linte mënjanë çdo ankesë dhe të përvishte llërët për zgjedhjet e ardhshme.

Dhe pas krijimit të kësaj vorbulle artificiale, për muaj me radhë janë lexuar keq dhe shumë keq Kushtetuta, ligjet më themelore të vendit, të gjitha rezolutat dhe deklaratat e njëpasnjëshme të institucioneve ndërkombëtare dhe mbi të gjitha oferta serioze dhe e sinqertë e mazhorancës për dialog dhe për zgjidhje të çdo mosmarrëveshjeje mes palëve. A thua se ligjet dhe rezolutat të ishin poezi hermetike, të cilat secili mund t'i lexojë dhe interpretojë si të dojë, në përputhje me shijet dhe me formimin e tij, dhe jo dokumente me detyra të qarta për t'u zbatuar. Është ekzagjeruar aq shumë me këtë fenomen, saqë të krijohej ideja se gjuha, e cila ka lindur si mjet komunikimi që njerëzit të merren vesh midis tyre, ishte kthyer në të kundërtën e qëllimit të ekzistencës së vet.

Por pavarësisht këtyre që kanë ndodhur, sot e kemi një lajm të mirë. Me ndërprerjen e bojkotit, mund të themi se ka nisur leximi i mbarë i kushtetutës dhe i rregullave të shtetit ligjor në këtë vend. Të paktën për sa i përket mandatit të deputetit, dhe ne urojmë që stina e leximeve të këqija dhe shumë të këqija të ligjeve, raporteve dhe rezolutave të marrë fund sa më shpejt, sepse ajo nuk të çon asgjëkund. Kjo do të jetë në radhë të parë në interesin e vetë opozitës, e përfaqësimit të saj dinjitoz, i cili nuk mund të kuptohet pa praninë dhe debatin politik në këtë sallë. Nga ana jonë, ne jemi të hapur dhe të gatshëm të debatojmë dhe trajtojmë gjithçka me opozitën, sepse parlamenti është tempulli i dialogut të politikës për çdo vend demokratik.

Mirëpresim çdo ballafaqim apo diskutim për qeverisjen, buxhetin e shtetit, institucionet, reformat, çdo ligj e vendim, madje çdo debat për të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Ne mund të debatojmë me njëri-tjetrin edhe për shiun dhe tërmetet, për Tanzimatin dhe Luftën Nacionalclirimtare, madje edhe për rolin e Skënderbeut në historinë tonë kombëtare, apo origjinën e lashtë të shqiptarëve, por ka një debat që nuk duhet ta zhvillojmë kurrë. Është ai për sistemin e vlerave, që të gjithë e kemi pranuar, këtu e 19 vjet të shkuara, ose që në krye të herës (po përdor një shprehje që e ka shumë për zemër zoti Rama), sistem përcakton qartë disa principe, pa të cilat demokracia nuk mund të ekzistojë, e jo më të funksionojë.

Sado të madh ta kemi hallin, ne nuk mund t'ia lejojmë vetes as teorikisht që të kapërcejmë muret që ndajnë pushtetet në një republikë parlamentare. Sado të prekur në dëshirat apo në interesat tona, ne si ligjvënës nuk duhet, as ta mendojmë që të marrim dhe aq më pak të ushtrojmë atribute që kushtetuta dhe ligjet ia japin një pushteti tjetër. Askush në këtë vend, dhe aq më pak në këtë sallë, nuk duhet të ketë iluzionin se mund të ketë arsye apo rrethana të veçanta që mund të na shtyjnë të kapërdijmë vetveten dhe të shkelim mbi kolonat e shtetit ligjor dhe rregullat e lojës për një vend demokratik. Natyrisht që jemi të gatshëm të ofrojmë të gjithë vullnetin tonë për të dëgjuar, trajtuar dhe zgjidhur çdo kërkesë dhe pretendim të opozitës që të mos dalë jashtë këtyre principeve themelore.

Dhe ky nuk është kusht, por thjesht një detyrim i të gjithëve. Sot është hedhur një hap i rëndësishëm, që ne e përshëndesim sërish, ai i thyerjes së bojkotit. Do të uronim shumë që rikthimi i arsyes, i cili sado i vonuar qoftë, është në të gjitha rastet i mirëpritur, të mos jetë një moment i vetëm dhe i shkëputur pragmatist. Sigurisht ne as ndikojmë dhe aq më pak mund të ndërhyjmë në vendimet e opozitës, të cilat ajo i merr në sovranitet të plotë.Por në rast se nga kjo sallë dilet menjëherë për të rinisur sërish nga oborret e partive dhe kafenetë e Tiranës të njëjtën telenovelë, sigurisht që ne nuk na mbetet gjë tjetër veçse të shprehim në paradhënie keqardhjen tonë të thellë.

E urojmë me gjithë shpirt që të mos ndodhë, sepse përndryshe, të nderuar kolegë të opozitës, sot do të ishit shumë më të pabesueshëm se dje, dhe nesër shumë më të pabesueshëm se sot. Dhe së fundi, dua ta mbyll këtë fjalë me një ftesë të hapur. Shqipëria Europiane është vërtetë deviza jonë politike, por ajo nuk është personale, ajo nuk është partiake, por është një linjë kombëtare.

Ne nuk duam të kemi asnjë arsye për të menduar se ajo nuk është edhe kauza juaj. Ndaj ju ftojmë sinqerisht që të rrugëtojmë bashkë në këtë autostradë me sens unik. Sepse Shqipëria është shtëpia jonë e përbashkët, njësoj si edhe kjo sallë e nderuar.

(*) Fjala e mbajtur sot në Parlament

KOMENTE