English

Patozi: Thyerja e bojkotit të vazhdojë

Tiranë, 25 shkurt, NOA - Mazhoranca përshëndet nismën e opozitës për t'u futur në seancë parlamentare dhe uron që ajo të jetë përfundimtare, pa kthim sërish pas.

Një fakt të tillë e ka pohuar gjatë fjalës së tij në seancë, kreu i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, duke shtuar se gjatë gjithë këtyre muajve, opozita i është përmbajtur vetëm një fjalie të raportit të OSBE/ODIHR të cilën mazhoranca e ka respektuar dhe një kauze, e cila nuk ka ekzistuar, pra manipulimit të votave të 28 qershorit.

Më pas, ai duke përshëndetur hyrjen e 64 deputetëve socialistë në parlament, ka thënë se ky akt respekton të gjithë ata që kanë votuar për opozitën në datën 28 qershor.

"Sot është hedhur një hap i rëndësishëm, ai i thyerjes së bojkotit. Urojmë që ky të mos jetë një vendim i shkëputur dhe pragmatist", tha ndër të tjera Patozi.

Përndryshe sipas kreut të grupit parlamentar demokrat, opozita do të ishte shumë më pak e besueshme sesa ishte dje.

Në fund, ai tha se Shqipëria evropiane është një devizë e mzhorancës, por që duhet të jetë edhe e opozitës dhe ndaj duhet punuar së bashku për ta realizuar sa më parë atë.

n.e/NOA

KOMENTE