English

Presidenti i ri zgjidhet pa opozitën

Viktor Janukoviq ka bërë betimin si president i ri i Ukrainës. Në fjalimin e tij të parë ai tha se Ukraina është në borxhe të mëdha, e përshkuar nga korrupsioni, varfëria dhe kolapsi ekonomik. Janukoviq shtoi se në politikën e jashtme do të mbështetet te Rusia, Bashkimi Evropian, si dhe Shtetet e Bashkuara. Janukoviq bëri betimin në Parlament, në një ceremoni modeste dhe pa praninë e kryeministres Julija Timoshenko dhe përfaqësuesve të partisë së saj. Karriget bosh nuk e kanë penguar atë që të paralajmërojë një gjendje katastrofe në vend.

"Vendi është në një situatë të vështirë. Nuk ka buxhet për këtë vit. Borxhet janë të mëdha. Varfëria, ekonomia e shkatërruar, korrupsioni janë pjesë e listës së gjatë të problemeve që përbëjnë realitetin ukrainas", tha Janukoviq. Se në çfarë drejtimi do të shkojë politika e tij e jashtme, është lehtë e kuptueshme - së pari është Moska, pastaj Brukseli, por edhe Uashingtoni. Lidhjet e Janukoviqit me Rusinë mund të shihen qartë edhe nga fakti që patriarku i Moskës, Kiril, udhëhoqi liturgjinë para inaugurimit. Megjithatë, Janukoviq është pragmatist dhe udhëtimin e parë të punës do ta bëjë të hënën në Bashkimin Evropian, thonë burime nga Unioni. Më pastaj, sipas njoftimeve nga Kremli dhe partia e tij, ai do të udhëtojë për në Moskë. Gjatë fjalimit, Janukoviq i dërgoi mesazh dhe kryeministres Timoshenko, e cila nuk e pranon fitoren e tij. "Zgjedhjet kanë përfunduar. E gjithë bota i ka pranuar ato. Populli ka vendosur. Bashkësia ndërkombëtare ka vlerësuar se Ukraina është vend ku respektohen të drejtat dhe liritë e njeriut. Vullneti i popullit nuk mund të vihet në pikëpyetje nga vullneti i keq i dikujt", u shpreh presidenti i ri ukrainas i cituar nga radio Evropa e Lirë. Janukoviq u premtoi qytetarëve një jetë më të mirë. Këtë, ai tha se mund ta arrijë vetëm me një kryeministër të besueshëm. Ai tashmë ka biseduar me ish-shefin e Bankës Qendrore dhe me dy ministra, të cilët do të mund ta trashëgonin Timoshenkon. Me këtë zgjedhje, destabilizimi politik i Ukrainës do të vazhdojë, ashtu sikurse edhe ndarja në Ukrainë pro-evropiane dhe pro-ruse.

KOMENTE