Tiranë, 25 shkurt, NOA Update - Partia Socialiste duke kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor për transparencën e 28 qershorit, në fakt "nuk synon të përmbysë rezultatin përfundimtar dhe as shfuqizimin e zgjedhjeve, por të gjejë deri në çfarë shkalle shtrihen parregullsitë dhe se si kanë ndikuar ato në nxjerrjen e tyre".
Një fakt i tillë theksohet në dokumentin që deputetët socialistë i kanë dorëzuar në mënyrë zyrtare gjatë seancës së sotme plenare, kryeparlamentares Topalli me propozimet konkrete për hetim parlamentar të zgjedhjeve.
"Ky komision nuk ka për qellim dhe nuk do të ndërhyjë në veprimtarinë e institucioneve te tjera dhe nuk do të kundërshtojë asnjë vendim të gjykatës zgjedhore apo ndonjë vendim tjetër. Por ai thjesht do të hetojë, do të mbledhë dëshmitë dhe do t'i analizojë ato në dritën e çështjeve për të cilat ka dyshime te forta dhe te arsyeshme se janë të rrezikuara", thuhet më pas në këtë dokument-propozim të socialistëve.
Duke shtuar më pas se pikërisht mbi këtë bazë do të evidentohen përgjegjësitë ligjore dhe institucionale të subjekteve të përfshira në proces.
"Kryesimi nga opozita, i këtij komisioni. si e interesuara e parë, është në thelb parakusht i suksesit të hetimit si i tillë dhe nga ana tjetër, i hap asaj rrugën për të adresuar rekomandime në lidhje me përmirësimin e kuadrit ligjor për zgjedhjet", përfundon propozimi, duke argumentuar se kjo zgjidhje do të shërbejë për t'i dhënë fund një herë e përgjithmonë paqartësive apo dyshimeve shumëvjeçare që kanë shoqëruar procesin zgjedhor në vend.
n.e/NOA