English

Ruçi: Kemi ardhur t'i japim shans Kuvendit

Tiranë, 25 shkurt, NOA - Opozita është futur sot në parlament, pas 6 muajsh bojkoti, për t'i dhënë një shans vendit për zgjidhjen e krizës politike.

Një fakt të tillë e ka bërë me dije gjatë fjalës së tij në seancë plenare, kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi.

"Oferta jonë për zgjidhjen e kësaj krize është propozimi që ju kemi sjellë, pra amendimi për komisionet hetimore dhe projekt-vendimi për ngritjen e menjëhershme të komisionit hetimor mbi transparencën e procesit zgjedhor të 28 qershorit", deklaroi Ruçi.

Sipas tij, refuzimi i mazhorancës ndaj një propozimi të tillë do të merret ndaj opozitës si "provën më të qartë të rkimit elektoral që fshihet në kutitë e votimit të 28 qershorit", shtoi ai.

"Topi është në fushën tuaj zoti Berisha, mos na mohoni të drejtën kushtetuese, për transparencën e 28 qershorit që mungon, si e vërteta që ju ka njollosur", deklaroi më pas përfaqësuesi socialist.

Më tej, Ruçi ka thënë se "opozita ka ardhur në parlament që të japë në dorë çelësat e zgjidhjes së krizës".

"Jemi këtu për t'u thënë nëse e doni opozitën në sallë apo e doni në rrugë. Nëse nuk e dëgjoni zërin tonë, ne do të jemi në rrugë në protesta pa ndalim", e përfundoi fjalën e tij me kërcënim për nisjen sërish të bojkotit kreu i Asamblesë socialiste.

n.e/NOA

KOMENTE