Itali, 25 Shkurt NOA - Janë luajtur ditën e djeshme dy sfidat e prapambetura të Kampionatit Italian ato midis Fiorentinës e Milanit dhe Udinezes me Kaljarin.
Në sfidën e parë Milani arriti të fitonte duke e kthyer rezultatin vetëm në minuta e fundit të garës ku rezultati final i saj ishte dy me një në favor të kuq e zinjve të Leonardos.
Ishin vendasit që shënuan të parët me anë të Gilardinos i cili realizoi në minutën e 14 të kësaj sfide. Më pas ekipi i Milanit arriti të shënonte dy gola të cilat do ta çonin në një fitore mjaft të rëndësishme vetëm në minutat e fundit të lojës ku për djemtë e Leonardos shënuan Huntelar në minutën e 82 dhe Pato i cili arriti të realizonte në minutat shtesë të kësaj ndeshje ku më saktësisht ishte minuta e 92 e saj.
Për Milan kjo fitore është mjaft domethënëse pasi tashmë ata ndodhen vetëm katër pikë larg kryesuesve të Interit.
Në sfidën tjetër ishte po i njëjti rezultat por ndryshe nga ajo e Milanit këtu ishin vendasit të cilët e kthyen rezultatin në favor të tyre.
Kaljari kaloi në avantazh me anë të Jeda i cili shënoi në minutën e 2 duke shfrytëzuar të parin rast për gol që u krijua nga ekipi i tij. Më pas Udineze arriti të kthente rezultatin duke shënuar dy golat e fitores me anë të Sanchez dhe të zakonshmit Di Natale ku ky i fundit vazhdon të kryesojë listën e golashënuesve të Seria A.
r.b/NOA