English

Shansi që po i jepet Berishës

"Nëse ju do ta lini popullin të shoh se çfarë ka në këto kuti, do ti bëni Shqipërisë dhe demokracisë tonë shërbimin që nuk ja bëtë më 28 qershor duke futur duart babëzisht në kutitë e votimit e futur vendin në këtë krizë të rëndë, e cila nuk zgjidhet nëpërmjet një pazari, por vetëm nëpërmjet një parimi"

Gramoz Ruçi*

Deputet, kryetar i Asamblesë Kombëtare, PS

Ky parlament ka një konflikt për të zgjidhur me popullin opozitar dhe populli opozitar ka një konfikt për të zgjidhur me këtë parlament. Ne kemi ardhur sot t'i japim një shans këtij parlamenti që të zgjidh pikërisht këtë konflikt me popullin përpara sesa populli të marrë vetë në dorë zgjidhjen e këtij konfikti.

Ky nuk është një konflikt për pushtet, por një konfikt i pastër interesi mes një pushteti që pengon transparencën e zgjedhjeve nga ka dalë dhe popullit nga ana tjetër që kërkon transparencën e votës që ka dhënë.

Ne nuk kemi ardhur sot këtu të marrim pushtetin përmes këtij hetimi të zgjedhjeve, por për t'u kërkuar të mos na mohoni të drejtën kushtetuese që ti hetojmë zgjedhjet plotësisht dhe hollësisht, padyshim duke hapur kutitë e 28 qershorit.

Ne nuk kemi ardhur sot këtu në parlament të betohemi dhe të largohemi, po u betuam për kushtetutën që ky pushtet e ka shkelur rresht 20 herë në këto 4 vjet, por njëherësh ne nuk kemi ardhur as të rrimë bashkë me ju në këtë sallë duke i kthyer kurrizin popullit opozitar dhe të mbyllim sytë para së vërtetës, që sot ky popull kërkon asgjë më shumë sesa të drejtën sovrane për transparencën e këtyre kutive.

Ne jemi këtu në emër të çdo shqiptari që prej 6 muajsh proteston bashkë me ne për këtë të drejtë dhe do të qëndrojmë në këtë parlament vetëm nëse ju dëshironi dhe keni vullnet të mirë politik për ta zgjidhur këtë krizë politike. Vetëm nëse ju do të çlironi pikërisht nga konflikti interesit, që ju detyron të shkelni prej 6 muajsh kushtetutën për të mos lejuar hetimin kushtetues dhe ligjor të këtyre zgjedhjeve.

Shqipëria është në një krizë të thellë të demokracisë, është në një krizë të thellë të shtetit të së drejtës dhe njëherësh është në krizë ekonomike. Pushteti juaj e ka të pamundur t'ju ofroj shqiptarëve zgjidhjen për faturën e jetesës që ju ngrihet lak në fyt çdo familje hqiptare.

E keni të pamundur t'ju jepni shqiptarëve shkollim normal për fëmijët, e kujdes të denjë shëndetësor për të sëmurët. E keni të pamundur t'ju jepni shqiptarëve frymëmarrje për biznesin privat që po lëngon apo në punën e shtetit, nënpunësit e shtetit që janë bërë çerdhe shërbëtorësh të pushtetit.

E keni njëherësh të pamundur t'ju jepni shqiptarëve integrimin e shumë ëndërruar evropian dhe nuk ju ndihmon në këtë drejtim as propaganda e turpshme kundër opozitës edhe nga kjo foltore, që pavarësisht mungesës sonë, keni vazhduar ta përdorni atë si kënd shpifjesh e sharjesh për ne për të justifikuar betejën e përsëritur ose mbetjen në klasë për liberalizimin e vizave që është vetëm paaftësia juaj shembullore.

Por edhe mos përmendur edhe më të thjeshtën, transparencën kushtetuese të zgjedhjeve, sepse pastaj do të jetë e pamundur që të ndalim pushtetin e punëve tuaj, përpara zemërimit të popullit pa punë dhe pa përfillur njëherësh edhe këtë të drejtë elementare për transparencën.

E vratë dhe shkatërruat popullin nëpërmjet Gërdecit, me babëzinë tuaj dhe pangopësinë tuaj dhe të pangopurit i keni ende sot në krye, sepse s'ka ende drejtësi në këtë vend pasi janë kapur gjykatat. E shembët investimin e parave të popullit në rrugën e kombit, përsëri me babëzinë tuaj dhe të pangopurit i keni përsëri në krye, sepse s'ka drejtësi në Shqipërinë ku ka ikur në drejtim në paditur prokuroria.

E mbytët Shkodrën për herë të dytë, përsëri me babëzinë tuaj dhe të pangopurit i keni përsëri në krye sepse s'ka drejtësi në vendin tonë, ku ka rënë shteti i së drejtës dhe ka fituar pushteti i votës së vjedhur.

Një pushtet që vjedh votat është një pushtet që vjedh pastaj çdo gjë, sepse nuk ka më nevojë ti bind njerëzit për votën që duan s'duan jua merr me pahir. Sot ne nuk ju kërkojmë pushtetin që nuk na e ka dhënë populli, por hapjen e kutive ku populli ka dhënë vendimin e tij për pushtetin, jo për të ndryshuar këtë herë rezultatin, por për të ndryshuar njëherë e mirë rregullat e lojës, që ju ka nxjerrë fitues ju pa pëlqimin e popullit.

Nëse ju do ta lini popullin të shoh se çfarë ka në këto kuti, do ti bëni Shqipërisë dhe demokracisë tonë shërbimin që nuk ja bëtë më 28 qershor duke futur duart babëzisht në kutitë e votimit e futur vendin në këtë krizë të rëndë, e cila nuk zgjidhet nëpërmjet një pazari, por vetëm nëpërmjet një parimi. Ose qeverisni duke lejuar transparencën ose duhet të largoheni për t'i ridhënë popullit të drejtën sovrane të vendimmarrjes së tij.

Z. Berisha më njihni mirë dhe po kaq mirë ju njoh edhe unë ju. Nuk dyshoj se pavarësisht atyre që ju thoni për hesapin tuaj ndaj meje, brenda vetes koha ju ka krijuar një bindje, se unë jam një shqiptar tradicional që gënjeshtrën e përçmoj dhe shpifjen e neveris.

Ju kam dëgjuar si gjithë shqiptarët tërë këto kohë të vajtoni mandatin që thoni se e keni humbur në qarkun e Fierit, duke vajtuar apo duke bërë sikur po vajtoni. Pretendoni se gjykata ka dhënë një vendim të gabuar lidhur me qendrën e votimit në Rruzhdie, por ju e respektoni prandaj kërkoni edhe nga ne që të respektojmë vendimet e gjykatës dukë mos kërkuar hapjen e kutive të 28 qershorit.

E kemi thënë çdo ditë në këto 6 muaj, ne nuk kemi punë me vendimet e gjykatës, por të drejtën tonë kushtetuese të hetimit parlamentar as e ndalon gjykata dhe as ne kërkojmë të përdorim atë kundër gjykatave.

Megjithatë z. Berisha unë kam një propozim dhe një sfidë publike për ju, jo vetëm në emrin tim personal, por edhe në emër të tërë kolegëve të tjerë të qarkut të Fierit, jo vetëm në emër të atyre por edhe në emër të gjithë PS dhe të grupit të saj parlamentar, në emër të kryetarit të PS.

Ne si socialistë na mjafton vetëm transparenca e kutisë së Ruzhdies, meqë ju pretendoni, për tu tërhequr nga fusha e kësaj beteje, nëse nga verifikimi i dokumentit zgjedhor i kësaj kutie nuk del qartë në sytë e popullit mekanizmi i korrupsionit elektoral, ashtu siç mjafton vullneti i këtij parlamenti sot, që sot që nesër.

Ta sjellim dhe ta hapim këtu në parlamentin shqiptar, në këtë sallë para syve të popullit, vetëm kutinë e Rruzhdies për të vendosur për më tej. Nëqoftëse bindja jonë se zgjedhjet janë kërcënuar shumë seriozisht nga një mekanizëm grabitje, përmes korrupsionit të komisionerëve, nëse nuk vërtetohet plotësisht përpara syve të gjithë shqiptarëve dhe gjithë komunitetit ndërkombëtar, unë personalisht jo vetëm që ju kërkoj ndjesë publike, por jap dorëheqjen nga gjithë skena politike dhe shkoj në shtëpi së bashku me 8 deputetët e qarkut të Fierit.

Në të kundërt ju zoti Berisha që do të duhet ti hapni rrugën transparencës së plotë e të pakushtëzuar duke lejuar shqiptarët dhe botën mbarë që të shoh provën e krimit elektoral që mbajnë brenda ato kuti. Ne jemi gati për këtë sfidë dhe të më falë, refuzimit tuaj në këtë rast do ta merrja si provën më të qartë për vërtetësinë e krimit që fle në ato kuti, rreth faktit se ju z. Berisha e dini fare mirë se çfarë kanë ato kuti brenda, prandaj i trembeni si djalli temjanit.

Ku ka shqiptarë përfshirë edhe ju vetë, që ta besojë se ju zoti Berisha i 20 shkeljeve kushtetuese, ju zoti Berisha i hetimeve antikushtetuese parlamentare që nxorët në publik sekrete të mbrojtura nga ligji për të lançuar prokurorinë e përgjithshme.

Jo z. Berisha, transparencën e kutive të 28 qershorit, nuk e pengon ndërgjegjja juaj inekzistente juridike, atë e pengon e vërteta që ju ka njollosur ndërgjegjen e 28 qershorit dhe fakti që ju errëson përditë e më shumë shikimin përpara një populli të tërë që kërkon një të drejtë të tijën, jo një favor nga ju.

Nuk besoj se do ti kujtojmë me nostalgji z. Berisha shumë nga betejat e panevojshme që keni bërë këtu në këtë sallë, prej thuajse dy dekada, brenda apo jashtë parlamentit, sepse i kemi lodhur shpeshherë pa arsye shqiptarët, i keni mërzitur atyre vazhdimisht atyre shpirtin me gërrmërret që kanë qenë larg halleve të vërteta të tyre.

Keni lënë të rritet në Shqipëri një klasë politike me pak fisnikëri dhe me shumë vese megjithatë shumë gjëra do ti marr koha me vete, të tjerat vallë se do justifikohen nesër me mungesën e traditës demokratike të vetë shoqërisë shqiptare. Të tjerat koha mund t'ia falim vetë njëri tjetrit, duke gjetur justifikime për veten kur të merremi si pensionistë me gabimet e më të rinjve.

Por një gjë nuk doja që brezi jonë ta linte pa zgjidhur sa jemi ende në jetën aktive të politikës z.Berisha ju, unë dhe tërë kolegët e brezit tonë, lirinë dhe ndershmërinë e zgjedhjeve. Nuk do të doja kurrë që brezi ynë të mos e linte dot as pas 20 vjetësh, të rejave dhe të rinjve që kanë lindur në vitin e fitores së demokracisë, mundësinë për të zgjidhur dhe për të zhvilluar zgjedhje si gjithë Europa, pa kuti të mbushura nga një dorë, pa lista të manipuluara votuesish.

Ja pse jam unë në këtë betejë dhe nuk do të tërhiqemi kurrë nga fusha e kësaj beteje Partia Socialiste, grupi i saj parlamentar dhe kryetari i saj Edi Rama dhe jo vetëm këta, por edhe i gjithë populli jo vetëm i majtë, po tashmë dhe ai i djathtë që kërkon fundin e kësaj tradite të shëmtuar zgjedhjesh si askund tjetër në Europë, madje as si në Kosovën tonë motër, ku veç dy vjet shtet, kutitë hapen dhe rihapen, votimet bëhen dhe ribëhen dhe askujt nuk i shkon në mendje të pengojë transparencën demokratike për asnjë palë.

S'dua të përmend këtu Afganistanin e largët ku kemi çuar djemtë tanë për të ruajtur demokracinë e brishtë nga rreziku fondamentalizmit dhe ku kutitë hapen pavarësisht se nuk do i pari i vendit.

S'ka ku vete e s'ka ku rri kjo punë, ndaj edhe ne s'do të ndalemi pa e venë në vend këtë punë. Bojkoti ynë i kritikuar shpesh në këta muaj dhe qe në fakt pasqyra që e nxori këtë fakt qartë në sytë të gjithëve. Krizën e lirisë së zgjedhjeve në Shqipëri, ne nuk e zgjidhim dot këtë krizë duke hequr qafe pasqyrën e parlamentit gjysmak z. Berisha, por vetëm duke i bashkuar dy gjysmat për ti dhënë fund kësaj krize me burrëri, për ti dhënë fund kësaj krize me vullnet, për ti dhënë fund kësaj krize me kurajo, për ta parë me sy të vërtetën e zgjedhjeve të shkuara që në të ardhmen të mos ketë kurrë më zgjedhjet si të shkuarat, falë bojkotit tonë dhe protestës popullore.

Kjo është bërë tashmë jo vetëm çështja e çdo shtëpie shqiptare, por edhe e çdo tryeze ndërkombëtare kur flitet për Shqipërinë.

Ne kemi ardhur të dorëzojmë çelësin që hap derën e kthimit tonë përfundimtar në parlament, ju takon tashmë juve shumicës në këtë sallë të vendosni nëse e doni edhe opozitën në sallë apo e doni bashkë më popullin në rrugë. Me mandatet e popullit opozitar deputetët e Partisë Socialiste duan të bëjnë hetimin e plotë dhe të pakushtëzuar të zgjedhjeve deri në zbardhjen e plotë të këtij krimi elektoral ose nëse nuk do të dëgjoni zërin e së drejtës, ne do të jemi në krye të këtyre protestave pa ndalim.

Pa çliruar zgjedhjet nga duart e krimit elektoral oferta jonë për zgjidhjen e kësaj krize dhe qëndrimi i grupit tonë parlamentar janë ky propozim që ju kemi sjellë sot këtu, amendimet e ligjit për komisionet hetimore dhe projektvendimi për ngritjen e menjëhershme të komisionit hetimor. Kjo ofertë vlen për këdo që thotë sot dhe nesër se do të preken zgjedhjet, sot dhe nesër që ne jemi në opozitë dhe ju jini në pushtet, ta kini me vete dhe ju kur të jeni nesër në opozitë. Pra ligjet i bën ky parlament, duke e kthyer me ligj me konsensus këtë ofertë nuk ka asnjë pengesë as sot dhe as më kurrë. As për pozitën e sotme dhe as për opozitën e nesërme.

Vetëm kështu zgjedhjet në Shqipëri bëhen transparente përmes kontrollit parlamentar dhe kurrë më, ata që administrojnë zgjedhjet nga komisioneri fshatit më të largët e deri tek kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk mendojnë dot se duke mbushur kutitë apo mbyllur kutitë mund të jetojnë ta patrazuar nga forca ndëshkuese e ligjit.

Edhe diçka në fund për ju znj. kryetare parlamentit. Zonjë e nderuar, u informuan nga Asambleja Parlamentare e OSB-së, se pikërisht sot u keni thënë se ditën që ne vijmë për ti dhënë një shans këtij parlamenti për zgjidhjen e krizës, ju trumbetoni se opozita do të vijë vetëm për një formalitet betimi.

Ndoshta ju vetëm këtë meritoni, por ne nuk erdhëm këtu, për kontribut konkret për zgjidhjen e një krize që nuk e kemi shkaktuar ne. Do tu lutesha të mos ta shpërdoroni më këtë kontribut, siç shpërdoroni detyrën dhe ta harroni ju dhe kushdo që mendon si ju se PS mund të lodhet, mund të dorëzohet apo mund të përçahet nga presionet dhe nga diversionet tuaja. Përfundimisht topi është në fushën tuaj z. Berisha. Ne jemi këtu për të pritur reagimin tuaj.

Sigurisht në moment edhe në nuk pretendojmë që mund të jepet një përgjigje enkas, megjithatë koha duhet të punojë dhe apeli jonë është që kjo kohë duhet të punojë për zgjidhjen e kësaj krize sa më shpejt.

(*) Fjala e mbajtur në Kuvend

Shenim i NOA: Qendrimet jane personale

KOMENTE