English

Skandali: Të këndohet maqedonisht

Shkup, 25 shkurt, NOA - Edhe një skandal i radhës që del nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës në Maqedoni, lidhur me librat për nxënësit shqiptarë. Kësaj radhe, një libër muzike ka qenë tmerrues për nxënësit e klasave të gjashta të shkollave fillore shqipe.

Denoncimi rreth kësaj është bërë nga prindërit e nxënësve shqiptarë, të cilët kërkuar tërheqjen urgjente të këtij libri. Libri "Arsimi muzikor për klasën e VI" i autores Veselinka Maxharova - Andova është me përmbajtje kryesisht nacionaliste maqedonase, duke filluar me himnin maqedonas, pastaj këndimin e këngëve për heronjtë maqedonas, ku shprehet gjuha urrejtëse, sidomos ndaj turqve si dhe këngë të tjera, që nga nxënësit shqiptarë janë vlerësuar si tejet irituese.

Ky libër që del në dritë nga shtëpia botuese "Prosvetno Dello", por që ka vendimin zyrtar të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të vitit 2008, nuk përmban asnjë këngë shqipe apo ndonjë pjesë tjetër muzikale.

Në përpilimin e këtij libri të muzikës është nënshkruar edhe një redaktor shqiptar, por edhe një bashkautorë shqiptare. Muzikologu Zijadin Ismaili theksoi për agjencinë e lajmeve INA se është i irrituar nga kjo gjë që ka ndodhur dhe që mban vulën e Ministrisë së Arsimit. "Është e qartë se në duart e nxënësve janë librat kryesisht në gjuhën maqedonase, përplot me këngë dhe tekste nacionaliste maqedonase. Por ata nuk janë fajtor, por ne jemi fajtor, prindërit dhe shkollat shqipe. Askush nuk e ngrit zërin. Unë ofrova librat e mija që kanë vlerësime të larta profesionale dhe janë të dedikuara për shkollat fillore, mirëpo ato u refuzuan dhe askush nuk dha përgjigje të prerë", theksoi muzikologu Ismaili, autorë i disa veprave muzikore dhe librave për shkollat fillore, që deri para disa viteve aplikoheshin në disa shkolla. Një reagim me shkrim ka mbërritur edhe nga këshilli i prindërve nga shkolla fillore në Shemshovë, e cila ka bërë të ditur se ky libër është tmerrues dhe me përmbajtje kryesisht në gjuhën maqedone. "Në këtë libër 40 për qind ka përmbajtje dhe tekst në gjuhën sllavo-maqedonase. Nuk ka asgjë nga tradita dhe muzika shqiptare. Kjo është një palaço-broshurë që tenton të zhdukë kulturën shqiptare. Nuk ka asgjë për këngët shqipe, kompozitorët shqiptarë, por gjithçka përmban propagandë sllavo-maqedonase. Vallë për këto të drejta bënë luftë shqiptarët, që fëmijët të mësojnë maqedonisht", ka theksuar kryetari i këshillit të prindërve të kësaj shkolle, Rexhep Murseli, duke kërkuar që urgjentisht ky libër të tërhiqet nga procesi arsimor. Edhe në shkollat e tjera ka pasuar reagime të njëjta lidhur me këtë libër, duke ia dërguar apelin edhe Ministrisë së Arsimit për tërheqjen e këtij botimi.

NOA-INA

KOMENTE