English

Spahiu: Gjykatat nuk janë objektive

Berat, 25 shkurt, NOA - Në Gjykatën e Rrethit të Beratit, ashtu si në të tjerat e vendit, konstatohen mangësi në dhënien e vendimeve objektive nga ana e gjyqtarëve.

Një kritikë të tillë e ka drejtuar ndaj gjyqtarëve sot gjatë analizës vjetore të gjykatës së rrethit gjyqësor Berat, zv/kryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu.

"Duke marrë për bazë elementin e ecurisë në gjykatat më të larta, konstatoj identikisht të njëjtin problem që patëm në gjykatën Fier apo të Vlorëës: pamundësinë e objektivitetit në cilësinë e gjykimit", tha në fjalën e tij Spahiu.

Duke shtuar më pas se "pesha që zënë në Berat çështjet penale është disa herë më e vogël sesa ajo civile, por gjithsesi, reagimi i shtetit ndaj kriminalitetit dhe forca e këtij reagimi, ka ndjeshmëri të lartë".

Më tej tha se një gjë e mirë në gjykatën e Beratit është ajo e nivelit të ulët të çështjeve të mbartura.

"Ashtu siç konstatoj me keqardhje qe janë kthyer në fenomen kombëtar pengesat e ecurisë së gjykimit për shkaqet klasike të mosgjetjes së adresave dhe shtyrjes nga avokatët", tha ai.

Në fund, Spahiu bëri me dije se sistemi gjyqësor përballet me probleme kardinale për mirëfunksionimin e sistemit siç janë infrastruktura e pamjaftueshme apo mungesa e sigurisë dhe mbrojtjes, të dyja këto derivate të buxhetit deficitar në favor të gjyqësorit.

n.e/NOA

KOMENTE