Laç, 25 shkurt, NOA - Strehoi dhe ndihmoi një person që kërkohej nga policia për t'i shpëtuar kapjes, por ka rënë vetë në prangat e saj.
Bëhet fjalë për 25-vjeçarin Bashkim Gjergjndreaj, banues në Fushë Mamurras, ndërsa i shpalluri në kërkim është 23-vjeçari Roland Mamli, banues në fshatin Zhejë të Kurbinit.
Lajmi konfirmohet nga burimet policore për agjencinë e Lajmeve NOA, sipas të cilëve ky i fundit ka qëlluar me armë zjarri automatik në drejtim të banesave të dy personave me inicialet P. L. dhe N. L, në qytetin e Laçit..
Menjëherë në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor dhe gjatë kqyrjes janë fiksuar pesë vrima plumbash në katin e dytë të banesës si dhe shtatë të tjerë jashtë tyre.
Ndërkaq, në rrugën para banesës janë gjendur dhe sekuestruar tetë gëzhoja model 56, të cilat do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme.
Materialet proceduriale i kalojnë prokurorisë së Kurbinit për veprën penale të "Vrasjes në rrethana cilësuese e mbetur në tentativë", "Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake" dhe "Përkrahje e autorit të krimit", parashikuar nga nenet 79/c, 278/2 dhe 302 të Kodit Penal për të dy personat e lartpërmendur.
n.e/NOA