English

Topi dekoron Kreshnik Tartarin

Tiranë, 25 shkurt, NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekoroi me urdhrin "Mjeshtër i Madh", trajnerin e mirënjohur të volejbollit për femra, Kreshnik Tartari me motivacionin: "Për kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e sportit shqiptar, si trajner dhe drejtues i shquar i volejbollit".

Në ceremoninë e mbajtur me këtë rast, ishin të pranishëm të afërm, kolegë, sportistë, figura të tjera të shquara të volejbollit shqiptar, drejtori i Kabinetit të Presidentit Dashamir Xhaxhiu, këshilltari për Shëndetësinë, Arsimin dhe Kërkimin Shkencor Maksim Cikuli etj. Pasi i dorëzoi Tartari urdhrin e lartë "Mjeshtër i Madh", Topi tha se "padyshim ai është krenaria e volejbollit shqiptar".

"Shoqëria jonë ecën përpara natyrisht. Shumë evenimente të reja do të kemi në të ardhmen, gjërat nuk vijnë menjëherë. Vijnë në radhë të parë me një progres hap pas hapi. Një pjesë e këtij progresi mund të quhet edhe revolucion pjesë e të cilit jeni edhe ju zoti Tartari", i është drejtuar ai Tartarit.

Nga ana e tij, ky i fundit shprehu mirënjohjen e thellë për këtë nderim nga ana e presidentit Topi, i cili është në radhë të parë sipas tij, një vlerësim për breza të tërë trajnerësh dhe volejbollistësh shqiptarë, që e kanë ngritur këtë lloj të sporteve me dorë në nivelet më të larta të përfaqësimit ndërkombëtar.

n.e/NOA

KOMENTE