Prishtinë, 25 shkurt, NOA - Bashkërenduesi i qeverisë së Kosovës për zbatimin e strategjisë për integrimin e veriut të Kosovës, Ylber Hysa, i tha BBC-së se me këtë hap pala kosovare po tregon gatishmëri për të qenë partner dhe pjesëmarrës në çështjen e veriut. Ai u emërua dje si bashkërendues i qeverisë për veriun dhe tha se do ta bazojë punën e tij mbi parimin e integrimit të veriut të Kosovës dhe realizimit të këtij qëllimi me mjete politike. Sipas tij, Beogradi zyrtar do ta vështirësojë punën në veri meqë ai do që të faktorizohet për të krijuar përfitime.
Zoti Hysa, detyra që keni marrë a është e lehtë?
- Jo vetëm për mua, por për shumë nuk është e lehtë. Por besoj se edhe për mua edhe për të gjithë kosovarët, pa marrë parasysh se kjo detyrë është e vështirë, është shumë e rëndësishme. Dhe ia vlen që të punohet për të.
Cilat do të jenë parimet dhe kriteret mbi çka do të bazoni punën tuaj për zbatimin e strategjisë?
- Ndër të tjera aty theksohet se unë do të jem ndërlidhës i të gjitha aktiviteteve edhe me faktorin ndërkombëtar që nënkupton një bashkëpunim të koordinuar. Ndoshta këtë qëndrim duhet parë më shumë si përpjekje të palës kosovare për të treguar publikisht gatishmërinë për të qenë partner dhe hisenik në çështjen e veriut dhe ndoshta kjo si hap i parë tregon më shumë se sa një vullnet të mirë
Por faktori ndërkombëtar nuk ka treguar bashkim në rastin e strategjisë. EULEX-i thuhet të jetë konsultuar por ai nuk është pjesë e saj. Si do ta koordinoni punën me këtë faktor?
- Kur thuhet strategji mbase nuk mendohet vetëm në një përceptim. Strategji është një bashkërenditje e të gjitha veprimeve që kanë për qëllim integrimin e kësaj pjesë në Kosovë. Në këtë aspekt, unë nuk besoj se EULEX-i, BE-ja apo NATO-ja të jenë kundër, në disa nga paraqitjet e tyre, përfshirë edhe të gjitha ato vende që e kanë njohur Kosovën, ku nuk vihet dyshim që kjo pjesë duhet të integrohet në Kosovë. Parimi i dytë besoj është ai që thuhet se kjo duhet të bëhet me mjete politike. Besoj se këto janë dy udhërrëfyes që obligojnë jo vetëm Prishtinën, por edhe të gjithë të tjerët të cilët veprojnë në Kosovë, në bazë të një kontrate të qartë - të pranimit të sovranitetit kosovar.
Mund të vlerësohet se hapi i parë i juaji do të jetë takimi me qytetarët në veri të Kosovës, për të krijuar një lloj mirëbesimi mes jush dhe atyre?
- Unë nuk do të përzihem në kompetencat e ekzekutivit. E imja është që të ndihmojë dhe të vlerësojë që të ketë një rrjedhshmëri të këtij procesi. Në këtë aspekt do të përpiqem që të ndihmojë por nuk do të jem ai që do të marr mbi vete kompetenca që nuk më takojnë.
Keni vendosur ndonjë afat kohor për zbatimin e strategjisë?
- Ka pasur afat kohor për moszbatimin e kësaj strategjie. Dhjetë vjet nuk është bërë shumë dhe ato kanë lënë vrragë. Kjo mosbërje dhjetë vjeçare me siguri nuk i lejon askujt ndonjë komoditet që të vë kufi kohor.
Por sa e vështirëson punën tuaj refuzimi edhe i serbëve lokalë në veri të Koosvës, mbi të gjitha ai i Beogradit zyrtar ndaj kësaj strategjie?
- Absolutisht e vështirëson. Beogradi është aty një kohë të gjatë, edhe si Beograd zyrtar, që duke e vënë këmbën në derën e pambyllur të Kosovës të përpiqet që të faktorizohet duke u përpjekur kështu të krijojë përfitime të ndryshme edhe karshi Brukselit. Në këtë aspekt nuk duhet të çuditemi se një rol i tij do të vazhdojë.
Nëse jeni emëruar koordinator për zbatimin e strategjisë. A mund të ndodh që në një moment të caktuar të vini deri tek një bashkëbisedim me Beogradin zyrtar për çështjen e strategjisë?
- Kjo i takon vendimit të Prishtinës zyrtare. Me aq sa di unë dhe të tjerët kurrë nuk është refuzuar një qëndrim sipas të cilit fqinjtë kanë për shumëçka të bisedojnë, për shumë aspekte që i rëndojnë qytetarët e dy vendeve fqinje.
BBC: Dhe cila është puna e parë që do të bëni me marrjen e detyrës?
Hysa: Puna e parë që do të bëjë është të ulem, të marr frymë mirë dhe ndoshta të shoh e të vazhdojë aty ku e kam lënë në dy vitet e fundit me aktivitetin tim që kam patur në Mitrovicë.
BBC