English

Albani i "Kafazit" dorëzohet në polici

Tiranë, 26 Shkurt NOA - Djaloshi që u bë i njohur për publikun përmes realit show "Kafazi i Artë" edicioni i pestë në News 24 tv, sot i është dorëzuar drejtësisë pasi ishte shpallur person nën kërkim policor prej afro dy muajsh.

Alban Rexha, 32 vjeç është paraqitur sot së bashku me avokaten Alberta Gega, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë dhe më tej ka pranuar t'i vendosen prangat duke përfunduar në qeli.

Mbi Alban Rexhën rëndon akuza e vrasjes së mbetur në tentativë në rrethana cilësuese.

Ngjarja ka ndodhur më 29 dhjetor 2009 në Selitë, në rrugën "Irfan Tomini"

Ku Alban Rexha është pronar i një lokali lotosport-bastesh sportive.

Atë natë, Rexha së bashku me tre shokë, Pajtim Serjani, 26 vjeç, Samet Mejdani, 21 vjeç, Enea Gega, 24 vjeç, ky i fundit, ish-i fejuari i Ingrid Gjonit, po lëviznin nëpër Selitë me një automjet me targa të huaja.

Kur policia i kërkoi të ndalonin me makinën me targa të huaja, katër djemtë jo vetëm që nuk ndaluan, por edhe qëlluan me armë në drejtim të uniformave blu.

Tre shokët e Alban Rexhës, Gega, Mejdani dhe Serjani, janë arrestuar të nesërmen e ngjarjes, më 30 dhjetor, kurse protagonisti i "Kafazit" u shpall në kërkim duke mbetur në liri deri pasditen e sotme kur edhe iu dorëzua autoriteteve, nën mbrojtjen e avokates Alberta Gega e cila është dhe nëna e Eneas, i njohur në qarqet e artit pasi ishte ish i fejuari i Ingrid Gjonit.

Edhe më herët, afro dy vjet më parë kur Alban Rexha ishte në "Kafaz", ishte sërish në qendër të vëmendjes së shtypit për shkak se grupe fansash të tij dhe një tjetër banori të "Kafazit" u konfrontuan dhunshëm mes tyre pranë godinës së realit show.

e.r/NOA

KOMENTE