"Duket se ambasadori Dell po na ofron mish për hell! Të freskët, me këtë parti të re që megjithatë nuk hahet. Apo, mish me afat të skaduar pas zgjedhjeve të ardhshme të atyre që do të eliminohen nga skena politike! Dhe do të jetë fat i madh për ta nëse vetëm eliminohen nga skena! As ai mish nuk do të hahet! Sepse do të kundërmojë shumë! Tashmë ka marrë erë!"
Nga Behxhet Sh. Shala*
Edhe një, edhe një…
Në një intervistë dhënë rrjetit për gazetari hulumtuese BIRN, ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Kristofer Dell ndër të tjera shfaqi brengosje për situatën e përgjithshme në Kosovë duke deklaruar se nuk ka ndonjë dallim midis partive në pozitë dhe atyre opozitare andaj sugjeroi se është krijuar një hapësirë dhe mundësi për një subjekt të ri politik i cili do të merrej me brengat e shoqërisë kosovare.
Pra, në mënyrë implicite e pranoi se këta të sotit nuk janë duke menduar shumë për ata që kanë votuar për ta! Pati reagime të menjëhershme të pozitës, opozitës, analistëve, shoqërisë civile, atyre që qesin fall dhe atyre që besojnë në fall! Të jemi realist, ky propozim i ambasadorit Dell nuk duhet të injorohet aspak!
Pastaj, Republika e Kosovës me pak më tepër se 2 milionë banorë i ka vetëm 40 parti politike dhe duhet të pranojmë se janë shumë pak aq më parë nëse i besojmë parimit " tutti albanessi, tutti comandanti" apo " dy shqiptarë, një parti"! Pra, vraponi o burra shqiptarë! Ambasadori Dell duket se formimin e subjektit të ri politik e sheh te shoqëria civile e cila gjithmonë ka katapultuar personalitete ngase nuk është dashur ta kalojnë Procesin e Verifikimit, si të punësuarit e uniformuar në FSK-ë!
Kandidati nga shoqëria civile është i njohur për lojalitet, fleksibilitet (
deri te rënia në gjunjë) dhe për çka jo tjetër! Disa menjëherë këtë e komentuan si përkrahje për Lëvizjen" Vetëvendosje!" dhe Albin Kurtin. Mund të jetë edhe kështu! Mendoj megjithatë se ambasadori Dell, me një të goditur ka dashur t'i arrijë disa qëllime! Së pari, u ka dërguar një "kërcënim" të butë partive apo koalicionit që është në pushtet. Së dyti e ka inkurajuar opozitën se mund të bëhet pjesë e pushtetit por jo para zgjedhjeve parlamentare të parapara sipas projekteve të tyre. Ua ka mbytur definitivisht shpresën për zgjedhje të parakohshme dhe shkatërrim të koalicionit! Gjithashtu i ka dhënë imunitet koalicionit qeverisës andaj Ramushi u nda si u nda me Fatmir Sejdiun! Në rrethana tjera, letra do të shkruante Fatmiri dhe jo Ramushi! Vakti e ha kashtën, thotë populli! Sot, ata që hanë kashtë quhen vegjetarianë për dallim prej kohëve të kaluara që janë quajtur ndryshe!
Nëse keni menduar se kjo ofertë i është drejtuar Lëvizjes "Vetëvendosje!" dhe Albin Kurtit, mendoj se nuk gaboni shumë! Madje aspak! Nëse Lëvizja "Vetëvendosje!" shndërrohet në parti politike dhe merr pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, si e vetme, ekziston rreziku që të digjet me një procedurë të shpejtuar. Pse e them këtë?! Askush nga ndërkombëtarët nuk është i interesuar ta përkrah fuqizimin e Lëvizjes "Vetëvendosje!" aq më parë që Lëvizja "Vetëvendosje!" është opozitë e vetme e projekteve politike të ndërkombëtarëve, më parë e UNMIK-ut tash edhe e EULESH-it.
Pastaj, Lëvizja " Vetëvendosje!" ka program kombëtar në kohën kur edhe ëndrrat në Kosovë detyrimisht duhen të shihen si multietnike, ndryshe cilësohesh si ekstremist dhe nacionalist! Lëvizja" Vetëvendosje!" ka bërë një fushatë për bashkim kombëtar në kohën kur me aktin më të lartë juridik të Ahtisarit e kontrabanduar si Kushtetuta e Kosovës shprehimisht ndalohet bashkimi me ndonjë shtet tjetër përjashtuar Serbinë!
Merreni me mend pastaj si do të dukeshin simbolet, flamuri i Tinës, himni i nuk e di i kujt dhe simbolet e tjera! Përfundimisht këto nuk do të pranoheshin, as nga ndërkombëtarët, si vendimmarrës të vërtetë e besa as nga vendorët si implementues të vendimeve që i marrin të tjerët! Këtë e them në mënyrë hipotetike nëse Lëvizja "Vetëvendosje!" do ta fitonte shumicën e vendeve në Parlament! Kjo assesi nuk do të lejohej! Ndërkombëtarëve por edhe vendorëve u levërdisë që Lëvizja "Vetëvendosje!"të jetë në Parlament ngase atëherë do të detyroheshin të luanin një lojë tjetër! Me kusht që të fitojnë vende sa gjysma e LDD-së sot! Nga kjo perspektivë përkrahet Lëvizja " Vetëvendosje!" Nga perspektiva e djegies së saj apo kontrollit mbi te! Andaj, mendoj se Lëvizja "Vetëvendosje!", nëse vendosë të bëhet pjesë e garës politike, duhet të hyjë në koalicion parazgjedhor me ndonjë parti apo disa sosh! Ndryshe, e ka parasysh fatin e ORA-së, digjitale dhe me kurdisje! Sidomos asaj me kurdisje kur kemi parasysh se në Kosovë çdo gjë kurdiset.
Kandidatët nga Kosova, votuesit nga Kina
Kur ambasadori Dell ka thënë se ka hapësirë për një subjekt të ri politik gjithsesi ka menduar te shoqëria civile. Madje, jam i sigurt se ka menduar edhe për emra konkretë siç janë: Shpend Ahmeti, Ilir Deda, Jeta Xharra dhe disa të tjerë. Në fakt, disa llaskucë të medieve elektronike dhe të shkruara që hiqen si eminenca gri e shoqërisë civile janë shndërruar në eunukë virtualë! Ata vetëm mund ta luajnë rolin e zagarëve për gjah ( denoncuesve) dhe aty përfundon misioni i tyre! Janë të formatizuar si të tillë dhe nuk mund të ndryshojnë!
Këtë rol e luajnë edhe sot, te shumë subjekte politike! Andaj këta janë jashtë orbitës së interesimit të ambasadorit Dell! Edhe emrat që po përfolën si ai i Shpend Ahmetit, Ilir Dedës, Jeta Xharrës apo të tjerëve nuk garantojnë kurrfarë suksesi! Madje, nëse kjo është e vërtetë më vjen shumë keq për Shpend Ahmetin për të cilin jam shumë i sigurt se nuk i mungon dinjiteti dhe ndershmëria e as dija!
Mirëpo atij definitivisht i mungon karizma, nuk mund të jetë apo bëhet lider! Jeta Xharra mund të fitojë vota në Skenderaj ndërsa nëse insistoni t'ju tregoj se kush do të votojë për Ilir Dedën, më keni futur në telashe të mëdha sepse vërtetë nuk e di ku do të gjinden ato vota në Kosovë!
Në të vërtetë mendoj se shpëtova! Nëse megjithatë, ambasadori Dell insiston për këta kandidatë atëherë mund ta provojë. Suksesin e ka të garantuar vetëm nëse këtyre kandidatëve ua siguron edhe votuesit, p.sh. 3 milionë kinezë! Politika kineze nuk humb asgjë ndërkaq subjekti politikë i ri definitivisht do t'i fitonte zgjedhjet! Dhe nuk do të jetë i ngjashëm me partitë aktuale, as të pozitës e as të opozitës!
Ata që e kanë mbamendjen e freskët nuk mund të mos u kujtohet fati i partisë së shoqërisë civile ORA! Ajo u shkri në LDK-ë! Pra, ky eksperiment dështoi dhe po bëhen përpjekje të riciklohet dështimi! Mirëpo, kur ta kemi parasysh faktin se e tërë Kosova është një eksperiment i madh dhe i pandershëm atëherë nuk duhet të kemi frikë nga eksperimentet e vogla! Në fund të fundit, ekipi që luan mirë nuk duhet të zëvendësohet! Sinqerisht, nuk e kam të qartë çfarë vërejtjesh konkrete ka ambasadori Dell ndaj koalicionit qeverisës dhe opozitës?!
A mos po e kundërshton ambasadorin? A mos po luan jashtë rregullave të përcaktuara të lojës? Në asnjë mënyrë! Pse atëherë të kërkohen të tjerë të cilët zgjedhjet mund t'i fitojnë vetëm me votat kineze?! Këta i kanë së paku votat vendore, qoftë edhe të vjedhura ama janë vendore! Duket se ambasadori Dell po na ofron mish për hell! Të freskët, me këtë parti të re që megjithatë nuk hahet. Apo, mish me afat të skaduar pas zgjedhjeve të ardhshme të atyre që do të eliminohen nga skena politike! Dhe do të jetë fat i madh për ta nëse vetëm eliminohen nga skena! As ai mish nuk do të hahet! Sepse do të kundërmojë shumë! Tashmë ka marrë erë!
përpjekje për rehabilitimin e krimit:
Para dhe pas ngjarjeve të 10 shkurtit 2007 kur kriminelët e policisë së UNMIK-ut vranë dy protestues paqësorë, Arben Xheladinin dhe Mon Balajn si dhe plagosën rëndë dhe lehtë mbi 80 protestues paqësorë dihej dhe dihet shumë mirë roli i shumë medive, mendermethënë të shoqërisë civile të atëhershme, politikanëve vendorë dhe ndërkombëtarë etj.
Pas arrestimit të Albin Kurtit, numri i atyre që e mbështetën, i dolën në mbrojtje dhe denoncuan krimin ishte shumë i vogël dhe ata u diferencuan thuaja si vet Albini! Sot numri i OJQ-ve dhe medieve madje edhe i politikanëve që po e "përkrahin" Albinin po rritet shumë! Dhe kjo përkrahje nuk i bënë nder aspak Albinit e as Lëvizjes " Vetëvendosj!". Më vjen të vjell prej kësaj përkrahjeje. Sinqerisht! Andaj tash po qëndroj anash! Po ndjehem më mirë! Edhe disa politikanë të opozitës tash po e përkrahin! Jo që duan ta përkrahin Albinin sa që duan ta denoncojnë pozitën si të inkriminuar! Janë me dy fytyra! Nëse ky gjyq i duhet dikujt atëherë i duhet Albin Kurtit! Dhe Lëvizjes " Vetëvendosje!".
Institucionet janë humbësit më të mëdhenj andaj nuk janë të interesuar për këtë proces, nëse do të pyeteshin ndërkaq që është e sigurt se nuk pyeten fare! Ky proces duhet të mbahet për hir të Arbenit, Monit dhe atyre që e pësuan! Ky proces duhet të mbahet për ata që kanë qenë të pafytyrë atëherë e tash janë bërë me dy fytyra!
Ky proces duhet të mbahet për hir të drejtësisë! Andaj jam për këtë proces. Në favor të mbajtjes së tij! Sepse është e pamoralshme ta kërkojnë lirimin e Albinit ata që e kanë futur në burg!
Humanizmi në vepër
Hashim Thaçi është humanist i madh. Me të dëgjuar se Ylber Hysa ka mbetur pa punë, pa konkurs i hapi një vend të punës që paguhet mirë e nuk punohet asgjë! Ai vend i punës, koordinator për zbatimin e Strategjisë për Veriun është bingo vet! Merr para, nuk ke përgjegjësi fare dhe tredhë miza! Që është aktiviteti kryesor i shoqërisë civile! Dhe faturë për Piter Fejtin!
Mua nuk po më pranojnë si të tillë ( anëtar i shoqërisë civile ) sepse Thaçi do të më gjente një vend të punës. Kështu, ai është gjetur në pikë të hallit, po donë me më ndihmuar me çdo kusht por nuk po mundet! Këtë po ia fali mirëpo nuk ia fali kurrë që nuk po e hapë një Universitet në Vranjevc!
Më ka fut në bela me gruan time sepse është e Vranjevcit në njërën anë dhe gjithashtu me Ismet Beqirin në anën tjetër të cilin e kam dy herë mik! Mik kështu siç e kam dhe mik edhe zyrtarisht sepse edhe ai është i Vranjevcit! Zoti na ndihmoftë!
(*) Dërguar nga autori, drejtor ekzekutiv i KMDLNj-së. Pikëpamjet në shkrim janë personale