Tiranë, 26 shkurt, NOA - Kryeministri Sali Berisha, deklaroi sot se qeveria shqiptare mbështet vendosjen e paqes në Lindjen e Mesme dhe gjetjen e dialogut mes Izraelit dhe Palestinën. Deklarata e Berishës u bë gjatë takimit me Ministrin e Punëve të Jashtme të Autoritetit Kombëtar Palestinez, Rijad Al-Maliki.
Në lidhje me konfliktin mes Palestinës dhe Izraelit, Berisha nënvizoi se Shqipëria vlerëson se zgjidhja më e drejtë e konfliktit është ekzistenca e dy shteteve Palestinë dhe Izrael, e cila do të krijojë bazat më të mira për një paqe të qëndrueshme në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme.
Ai gjithashtu shprehu mbështetjen nga ana e Shqipërisë, të çdo përpjekjeje të zgjidhjes së çështjes së paqes, në Lindjen e Mesme, nëpërmjet dialogut dhe negociatave, duke theksuar se kishte bindjen se me përpjekjet e autoriteteve të dy vendeve dhe me mbështetjen e faktorit ndërkombëtar do të arrihej një zgjidhje afatgjatë, në interes të paqes dhe prosperitetit të dy vendeve mike.
Gjatë takimit Berisha vlerësoi se vizitë është një dëshmi dhe një kontribut i rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve në të gjitha fushat.
Zyra e shtypit të kryeministrisë njofton se, "gjatë takimit u diskutua gjerësisht për një thellim të bashkëpunimit në ekonomi, turizëm, tregti, arsim dhe kulturë. Kryeministri Berisha garantoi Ministrin Al-Maliki për mbështetjen e qeverisë shqiptare për forcimin e shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve përmes nënshkrimit të marrëveshjeve dhe hartimin e nismave me interes reciprok".
m.xh/NOA