English

Greqia indinjohet me mediat gjermane

Pasi revista gjermane "Focus" i fyeu grekët duke i konsideruar si "mashtrues të familjes së Euros", e përditshmja e Athinës "Eleftheros Typos" i lejoi vetes të botonte një fotografi të Perëndeshës Viktoria me kryqin e thyer.

Një titull gazete kthehet në çështje politike: pasi revista mynihase "Focus", publikoi në titullin e saj perëndeshën greke Afërdita, me gishtin e mesit të ngritur dhe shkruante me fjalë denigruese "mashtruesit në familjen e euros", e përditshmja athinase „Eleftheros Typos" i lejoi vetes një fotomontazh të perëndeshës Viktoria me kryqin e thyer. Presidenti i parlamentit grek Petsalnikos, deklaron se "shtypi gjerman nganjëherë reagon në mënyrë histerike" dhe ankohet pranë ambasadorit gjerman. A mos vallë tani kërcënon një luftë mediatike greko-gjermane?

Vasiliki Georgiadu, është e indinjuar prej titullit të fundit të revistës „Focus". Nuk mund të fusësh në një kallëp 11 milionë grekë dhe t'i quash ata në mënyrë të përgjithshme si mashtrues dhe dembelë, mendon zëvendësprofesorja për shkenca politike në Universitetin Panteon, të Athinës. Fakti, që disa gazetarë ngrenë njëherë gishtin tregues moralisz dhe tani edhe gishtin e mesit të ngritur, kjo e kalon masën, mendon studiuesja që ka mbaruar në Münster.

FOCUS-i ka kaluar qartë kufijtë

Ballina e tij është një teprim estetik, teksti duket sensacional, madje më keq akoma: përgjithësohet dhe si përfundim shprehet një faj kolektiv i të gjithë grekëve për gjendjen e ekonomisë. Por unë bëj pjesë tek ata njerëz, që punojnë shumë dhe paguajnë rregullisht taksat, si qënkam unë një "mashtrues i familjes së euros"? Nuk e kuptoj dhe më shqetëson që gjermanët flasin për faj kolektiv. Ata për vete e kanë mohuar në të kaluarën fajin kolektiv, unë mendoj me të drejtë…"

Pedagogia e shkollës së lartë i ka shkruar tashmë një letër proteste redaksisë së FOCUS-it. Megjithatë, në mediet serioze raportimi është korrekt dhe zakonisht mjaft objektiv, thotë studiuesja greke.

Edhe ajo dyshon që duhet thirrur për raport ambasadori gjerman, vetëm ngaqë disa gazetarë publikojnë reportage të padëshiruara. Por ja, që në kohë ekonomikisht të vështira emocionet vlojnë shpejt dhe më pas mund të ketë edhe mbireagime, shpjegon Vasiliki Georgiadu...

"Kur përhapet në Greqi ndjenja e pasigurisë, ne kemi prirjen të reagojmë në mënyrë të tepruar. Pikërisht në kohë krize kemi mbërritur përsëri në një pikë të tillë. Përballë gjendjes ekonomike të tendosur shumë njerëz ndihen të pasigurtë, dhe për këtë arsye po pranojnë bile për herë të pare ulje pagash. Por nuk ka dobi që evropianët e tjerë ta mbulojnë gjithnjë me kritikë Greqinë. Do të ishte shumë më e arsyeshme sikur ata të mund të na ndihmonin…"

Nxitje deklaratash populiste

Titulli i skajshëm i revistës FOCUS, nuk duhet të kthehet në makinë tërheqëse për deklarata populiste, paralajmëroi e përditshmja e moderuar athinase „Kathimerini". Krejt ndryshe televizioni popullor „Alter", që në kohën më të ndjekur transmetoi një tryezë katërorëshe mbi kërkesat greke për reparacionet e Luftës II Botërore. Ndërkohë, politikanët e opozitës i drejtojnë qeverisë thirrje, që të kërkojë dëmshpërblim nga Gjermania për shkatërrimet e luftës. Edhe zëvendëskryeministri socialist Pangalos, kujton pushtimin e Greqisë prej ushtrisë gjermane, Wehrmacht.

Studiuesja Vasiliki Georgiadu kërkon maturi.„Nuk dua të gjykoj në lidhje me këtë, por po them vetëm kaq: Ne nuk mund ta nxjerrim këtë histori gjithmonë atëherë nga sirtari kur ngrihen zërat e mospajtimit midis Greqisë dhe Gjermanisë. Ka politikanë dhe gjykata, që mund të sqarojnë njëherë e mirë nëse ka apo jo kërkesa të hapura për reparacione."

Megjithatë, për momentin Greqia ka halle të tjera. Në mes të marsit qeveria Papandreu duhet të raportojë para Komisionit Evropian dhe të bindë se lufta kundër zhytjes në borxhe rekord po jep fryte. Përndryshe rrezikojnë masa të tjera, dhe një shtyp shumë negativ edhe vetë në Greqi …

Janis Papadimitriou/ Eliana Xhani/DW

KOMENTE