Durrës, 26 shkurt, NOA - Donte të kalonte kufirin shqiptar drejt Italisë përmes portit të Durrësit me dokumenta false, por është identifikuar nga forcat e policisë dhe është vënë nën mbikëqyrjen e tyre. Bëhet fjalë për një grua 52-vjeçare nga Klina e Kosovës, me inicialet H.H., e cila u kap në flagrancë në terminalin e pasagjerëve të Portit të Durrësit, duke tentuar të kalojë kufirin në mënyrë të paligjshme për në Itali me një nga tragetet e linjës Durres - Bari.
Konkretisht, ajo u kap duke përdorur për udhëtim një pasaportë kosovare në të cilën kishte të vendosur një leje qëndrimi gjermane, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar. Materialet për veprën penale të "Falsifikimit të dokumentave" iu kaluan për ndjekje prokurorisë së Durrësit.
n.e/NOA