Tiranë, 26 shkurt, NOA - Shqipëria mbështet përpjekjet e autoritetit ndërkombëtare për krijimin e shtetit Palestinez dhe vendosjen e paqes në Lindjen e Mesme.
Deklarata është bërë sot nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta në takimi me ministrin e Jashtëm të Autoritetit Kombëtar Palestinez, Riyad Al-Malki.
"Një vend i rëndësishëm gjatë bisedimeve iu kushtua edhe situatës në Lindjen e Mesme dhe kryesisht procesit të paqes në këtë rajon. Në këtë kuadër, z. Meta u shpreh se Qeveria shqiptare mbështet fuqimisht procesin e paqes në Lindjen e Mesme dhe përpjekjet e Kuartetit në këtë drejtim. Ai nënvizoi mbështetjen e Shqipërisë për përpjekjet e Autoritetit Kombëtar Palestinez dhe të komunitetit ndërkombëtar për krijimin e Shtetit Palestinez, duke mbajtur në vijimësi qëndrimet e komunitetit ndërkombëtar për krijimin e dy shteteve, me qëllim vendosjen e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Lindjes së Mesme", thuhet në njoftimin zyrtare në lidhje me takimin mes dy diplomatëve. Ministri Al-Malki, vlerësoi qëndrimin e Qeverisë shqiptare për çështjen palestineze dhe shprehu qëndrimet e Autoritetit Kombëtar Palestinez në lidhje me procesin e paqes në Lindjen e Mesme.
Zyra e shtypit të ministrisë së Jashtme njofton se në takimin është diskutuar për rritjen e marrëdhënieve dhe shkëmbimeve ekonomike mes dy vendeve.
Të dy palët kanë shprehur vullnetin për të zhvilluar më tej këtë bashkëpunim në fushën ekonomike, arsimore dhe kulturore.
m.xh/NOA