Tiranë, 26 shkurt, NOA - Qeveria shqiptare mbështet fuqimisht procesin e paqes në Lindjen e Mesme. Një fakt të tillë, ministri i Jashtëm Ilir Meta ia komunikoi homologut të Autoritetit Kombëtar Palestinez, Riyad Al-Malki, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë. Meta dhe Al-Maliki ndanë së bashku vlerësimin për marrëdhëniet e mira të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Autoritetit Palestinez. Të dy palët shprehën gjithashtu, vullnetin për të zhvilluar më tej këtë bashkëpunim në fushën ekonomike, arsimore dhe kulturore.
Një vend i rëndësishëm gjatë bisedimeve iu kushtua edhe situatës në Lindjen e Mesme dhe kryesisht procesit të paqes në këtë rajon.
Në këtë kuadër, Meta tha se Shqipëria mbështet përpjekjet e Kuartetit në këtë drejtim. Ai nënvizoi mbështetjen e Shqipërisë për përpjekjet e Autoritetit Kombëtar Palestinez dhe të komunitetit ndërkombëtar për krijimin e shtetit palestinez, duke mbajtur në vijimësi qëndrimet e komunitetit ndërkombëtar për krijimin e dy shteteve, me qëllim vendosjen e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Lindjes së Mesme.
Nga ana e tij, Al-Malki vlerësoi qëndrimin e qeverisë shqiptare për çështjen palestineze dhe shprehu qëndrimet e Autoritetit Kombëtar Palestinez në lidhje me procesin e paqes në Lindjen e Mesme.
n.e/NOA