English

Olldashi: Kontroll të rreptë patentave

Tiranë, 26 shkurt, NOA - Autoritetet shtetërore do të nisin të ushtrojnë një kontroll më të madh ndaj dhënies së patentave nga auto-shkollat, si një masë për uljen e numrit të aksidenteve rrugore.

Një fakt të tillë e ka bërë me dije gjatë një konference për sigurinë rrugore, ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, sipas të cilit janë mëse 37 mijë persona që pajisen përvit me leje drejtimi dhe natyrisht, që kjo lloj shifre vlen për t'u kontrolluar edhe për cilësinë që përmban.

Duke raportuar mbi cilësinë e sigurisë rrugore në vend, Olldashi tha se "asnjëherë nuk ka patur një vëmendje kaq të madhe institucionale rreth saj".

"Faktorët që po minimizojnë numrin e aksidenteve, është marrja në konsideratë e problemit. Ndërkaq, themi se modernizimi i sistemit të raportimit të aksidenteve, i cili presupozon krijimin e një baze të dhënash rreth tyre, do të ndikojë edhe më tej në uljen e numrit të tyre", shtoi ministri.

Në fund, ai ka shtuar se po bëhen gjithashtu edhe hapa të rëndësishëm për kompletimin e kuadrit ligjor lidhur me sigurinë rrugore.

n.e/NOA

KOMENTE