English

Sejdiu: Gati të takohem me Tadiç

Prishtinë, 26 shkurt, NOA - Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka deklaruar se është i gatshëm të bisedojë me presidentin e Serbisë, Boris Tadiç, në çdo kohë dhe në çdo vend, mjafton që ky takim të jetë në cilësinë e presidentëve të dy shteteve të pavarura. "Këto duhet të jenë bisedime ndërshtetërore, e jo çfarëdo bisedimesh për statusin e Kosovës, për çka edhe flitet vazhdimisht në Beograd. Ne jemi shtet i pavarur", ka deklaruar Sejdiu në një intervistë për të përditshmen "Jutarnji List". Sipas tij, kosovarët janë të gatshëm t'i lënë mënjanë gjërat e tmerrshme që kanë ndodhur dhe krimet që u janë bërë dhe të bisedojnë hapur dhe në formë të barabartë me palën serbe.

"Të gjithë ne duhet që me sjelljen tonë t'i kontribuojmë qetësimit të tensioneve në rajon, sepse të gjithë për synim kemi paqen, bashkëpunimin me të gjithë përreth, zhvillimin dhe anëtarësimin në NATO dhe BE", ka thënë Sejdiu. Ai ka vlerësuar më tej se Serbia e sotme duhet të çlirohet nga barra dhe mbetjet e politikës së Millosheviçit.

"Ndarja e Kosovës, e theksoj me përgjegjësi, nuk do të ndodhë, por rrëfimet e rreth saja janë të rrezikshme", ka thënë Sejdiu. n.e/NOA

KOMENTE