English

Sfidat e euros

"Mbijetesa e Greqisë do ta lërë sërish të ardhmen e euros të dyshimtë. Edhe nëse kriza aktuale kalohet, pyetja mbetet se çfarë do të ndodhë në krizën e ardhshme. Është e qartë se nevojitet një monitorim më i fortë dhe një marrëveshje institucionale për ndihmë të kushtëzuar"

Nga Xhorxh Soros*

Otmar Issing, një nga baballarët e euros, deklaron me korrektësi themelin mbi të cilin monedha e përbashkët u ngrit. Siç shkroi ai javën e kaluar te FT, euro u nis si një bashkim monetar, jo si një bashkim politik. Shtetet pjesëmarrëse krijuan një bankë qendrore të përbashkët, por refuzuan të dorëzojnë të drejtën e taksimit të qytetarëve të vet nga një autoritet i përbashkët.

Ky parim u hyjnifikua nga traktati i Mastrihtit dhe u interpretua nga Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë. Euro është një ndërtesë unike dhe e pazakontë, qëndrueshmëria e së cilës tani po testohet. Ndërtesa po lëkundet. Një monedhë e vërtetë kërkon njëkohësisht një bankë qendrore dhe një zyrë thesari.

Thesari nuk nevojitet për të taksuar qytetarët ditë për ditë, por duhet të jetë i disponueshëm në kohë krize. Kur sistemi financiar është në rrezik rrëzimi, Banka Qendrore mund të sigurojë likuiditet, por vetëm Thesari mund të shlyejë detyrimet. Ky fakt i mirënjohur duhej t'i qe bërë i qartë të gjitha vendeve të angazhuara tek euro.

Z. Issing pranon se ishte një nga njerëzit që besonin se "themelimi i bashkimit monetar para themelimit të bashkimit politik, qe njësoj si të vendosje karrocën para kalit".

Bashkimi Europian u krijua përmes vendosjes së karrocës para kalit: BE vendosi objektiva të kufizuara thjesht sepse qenë politikisht të pranueshme, duke e ditur shumë mirë se këto kufizime nuk qenë të mjaftueshme dhe se hapa të tjerë duhet të ndërmerreshin drejt bashkimit final. Por procesi u bllokua për shumë arsye dhe tashmë BE është në përgjithësi e ngrirë në gjendjen e vet aktuale.

I njëjti problem ekziston edhe me euron. Kriza e vitit 2008 vuri në dukje defektet në këtë ndërtesë, kur vendet anëtare u detyruan të shpëtojnë bankat e veta në mënyrë të pavarur. Kriza e borxhit grek e solli edhe klizmën. Nëse vendet anëtare nuk i ndërmarrin hapat e tjera, euro mund të rrëzohet.

Ndërtesa origjinale e euros bazohej në parimin që vendet anëtare do të respektonin kufizimet e vendosura në Mastriht. Por qeverisë së mëparshme greke iu dhunuan vazhdimisht këto kufizime. Qeveria e Jorgos Papandreut që fitoi zgjedhjet e tetorit, i demonstroi botës se deficiti i vet buxhetor qe 12.7 për qind e PBB-së më 2009, duke tronditur autoritetet evropiane dhe tregjet.

Autoritetet europiane pranuan një plan që synon të reduktojë gradualisht deficitin fillimisht me 4 për qind, por tregjet nuk u bindën. Borxhet greke kanë tashmë një normë rreziku prej më shumë se 3 përqindësh, gjë që ia ka hequr Greqisë përfitimin që u krijua nga anëtarësimi në Eurozonë.

Nëse kjo gjë vazhdon, ka një rrezik real që Greqia të mos e shpëtojë vetveten pavarësisht nga përpjekjet që mund të bëjë. Ulja e mëtejshme e shpenzimeve buxhetore mund të fusë në depresion aktivitetin ekonomik dhe do të sillte rënie të të ardhurave buxhetore, gjë që do të përkeqësonte situatën e borxhit.

Duke parë këtë rrezik, interesat e borxhit nuk do të ulen te niveli i mëparshëm për sa kohë Greqia nuk merr ndihmë nga jashtë. Kjo situatë është përkeqësuar nga tregjet në produktin e "primit kundrejt falimentit", produkt që favorizon ata që spekulojnë mbi rrezikun e falimentit. Duke e parë këtë rrezik, takimi i ministrave të Financave të BE-së për herë të parë premtuan se do të punojnë "për të siguruar stabilitet financiar në të gjithë zonën euro".

Por deri tani nuk janë në gjendje të bëjnë ndonjë gjë të madhe për shkak se marrëveshjet ekzistuese nuk japin hapësira ligjore për diçka të tillë. Zgjidhja më efektive është që ata të emetojnë së bashku garanci për 75 për qind të borxhit grek që pritet të maturohet për sa kohë Greqia respekton objektivat e përcaktuara, duke i dhënë mundësi Athinës të merret me pjesën tjetër të nevojave.

Kjo do të reduktojë në mënyrë domethënëse koston e financimit të borxhit dhe do të jetë një lloj marrëveshjeje me FMN-në. Por kjo nuk është e mundshme për momentin, për shkak se Gjermania nuk dëshiron të jetë xhepi rezervë i vendeve të dobëta. Qeveria e Papandreut duket se është e vendosur të korrektojë abuzimet e së shkuarës dhe gëzon mbështetje publike.

Ka pasur protesta masive dhe rezistencë nga rojet e vjetra të partisë në pushtet, por publiku duket se është i gatshëm t'i pranojë vuajtjet. Për këto arsye, një ndihmë e vogël mund të jetë e mjaftueshme për Greqinë, por kjo lë jashtë Spanjën, Italinë, Portugalinë dhe Irlandën. Së bashku këto vende përbëjnë një pjesë tepër të madhe të BE-së dhe nuk mund të ndihmohen.

Mbijetesa e Greqisë do ta lërë sërish të ardhmen e euros të dyshimtë. Edhe nëse kriza aktuale kalohet, pyetja mbetet se çfarë do të ndodhë në krizën e ardhshme. Është e qartë se nevojitet një monitorim më i fortë dhe një marrëveshje institucionale për ndihmë të kushtëzuar.

Një treg i mirëorganizuar eurobondesh është diçka shumë i mirë. Pyetja mbetet nëse ekziston vullneti politik për t'i ndërmarrë këto masa.

(*) "Financial Times"

KOMENTE