Tiranë, 26 shkurt, NOA - Shqipëria mbështet parimisht çdo përpjekje të zgjidhjes paqësore, të qëndrueshme dhe afatgjatë të konfliktit izraelito-palestinez dhe situatës në Lindjen e Mesme nëpërmjet bisedimeve dhe negociatave. Një fakt të tillë, presidenti Bamir Topi ia ka komunikuar sot gjatë një takimi ministrin e Punëve të Jashtme të Autoritetit Kombëtar Palestinez, Rijad Al-Maliki në kuadrin e një vizite zyrtare në vendin tonë.
Topi vuri në dukje nivelin pozitiv të marrëdhënieve të vendit tonë me Autoritetin Kombëtar të Palestinës, si dhe të bashkëpunimit në kuadër të organizatave ndërkombëtare.
Ai vuri në dukje se qëndrimi ynë është në një linjë me atë të Bashkimit Evropian dhe i bazuar në disa parime kryesore si dialogu politik, mbështetje ndaj forcave të moderuara dhe asistencë ndërkombëtare për lehtësimin e negociatave midis Izraelit dhe Palestinës. Nga ana e tij, ministri i Jashtëm palestinez, Rijad Al-Maliki, shprehu kënaqësinë dhe nderimin për këtë takim me Topin së bashku me ftesën për ta vizituar në një kohë sa më të përshtatshme.
Ai vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve tona në të gjitha nivelet duke shpresuar në rritjen e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe turizmit, bëri një përshkrim të hollësishëm të situatës në Lindjen e Mesme, të ecurisë së negociatave izraelito-palestineze dhe përpjekjeve diplomatike ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë e afatgjatë, u shpreh se suksesi do të arrihet vetëm nëpërmjet vazhdimit të bisedimeve dhe negocimit.
n.e/NOA