English

Aksidenti i Vjenës, Kosova sot zi kombëtare

Prishtinë, 27 shkurt, NOA - Kosova sot gjendet në një ditë zie kombëtare, në nderim të viktimave të shkaktuara në aksidentin e një autobusi në Vjenë të Austrisë pak ditë më parë, ku humbën jetën 6 bashkëkombës nga Kosova dhe u plagosën më se 30 të tjerë. Lajmi i komunikuar nga presidenti Fatmir Sejdiu presupozon që sot të gjithë kosovarët dhe institucionet të nderojnë këta persona që humbën jetën në këtë aksident.

"Në përputhje me Kushtetutën, si dhe duke ndjerë thellë dhembjen e të gjithë qytetarëve për tragjedinë që e kanë pësuar shtetasit e Republikës së Kosovës në aksidentin e rëndë në Vjenë, Austri, presidenti ka marrë vendim që 27 shkurti 2010, në Republikën e Kosovës, në shenjë nderimi për të gjitha viktimat e kësaj tragjedie, të shpallet Ditë zie shtetërore", thuhet në njoftimin e nxjerrë nga zyra e Sejdiut. Me këtë vendim udhëzohen të gjitha institucionet e Kosovës dhe të gjithë qytetarët e saj që t'i përmbahen këtij vendimi duke respektuar dispozitat e ligjit.

Aksidenti në fjalë ndodhi para pak ditësh vetëm 15 kilometra larg Vjenës, në orët e para të mëngjesit, ku një autobus me kosovarë që udhëtonin nga Gjemania, u përplas duke shkaktuar disa viktima.

n.e/NOA

KOMENTE