English

Kosova s'është diasporë, por atdhe kombëtar

"Askush nuk mund të krijojë një komb të llojit të vet të ri në kohë, pa një trashëgimi kulturore-historike dhe gjeneologjike të gjithmbarshme të brezave, sepse kombi nuk ka lindur nga politika e as nga shteti por ai është aq i vjetër në shekuj dhe i thellë në historinë e njerëzimit, nga kombi lindin shtetet dhe zgjerohen popujt në linjën e përbashkët të rrjedhës së logjikës së identitetit të parrënuar dhe të padëmtuar edhe nga konfliktet dhe luftërat e përgjakshme gjatë historisë, është pikërisht kjo arsye se shpikjet e rastit për një komb të ri (lexo "kombi Kosovar") bien në fund të iluzioneve dhe hamendjeve errësuese"

Gjon Keka*

Çështja më me ndikim në gjithë historinë e njerëzimit është ajo kombëtare kjo para së gjithash tregon këtë se njerëzimi është i ndarë në grupe të caktuara kombëtare. Kështu që pika e fillimit për ideologjinë e nacionalizmit normal dhe jo pasionant i ka rrënjët në doktrinën etike të filozofisë së grupeve me identitet kombëtar në vetvete dhe të njohura botërisht me po atë identitet rrënjësor kombëtar.

Kombi është shtëpia dhe vendi ku ka filluar njerëzimi jetën e tij sociale, kulturore dhe të zhvillimeve tjera të gjithmbarshme, kështu që kombi si i tillë nuk ka lindur tani në kohën moderne edhe pse mëtohet të thuhet, kombi është një organ i gjerë dhe i thellë që kap fillimin dhe procesin e vetë njerëzimit që nga gjeneza e tij historike.

Kombet shtrihen në shumë breza dhe normalisht se përfshijnë në tërësinë e tij të plotë gjithë ecjen e tij dhe zhvillimet në përgjithësi.

Askush nuk mund të krijojë një komb të llojit të vet të ri në kohë, pa një trashëgimi kulturore-historike dhe gjeneologjike të gjithmbarshme të brezave, sepse kombi nuk ka lindur nga politika e as nga shteti por ai është aq i vjetër në shekuj dhe i thellë në historinë e njerëzimit, nga kombi lindin shtetet dhe zgjerohen popujt në linjën e përbashkët të rrjedhës së logjikës së identitetit të parrënuar dhe të padëmtuar edhe nga konfliktet dhe luftërat e përgjakshme gjatë historisë, është pikërisht kjo arsye se shpikjet e rastit për një komb të ri (lexo "kombi Kosovar") bien në fund të iluzioneve dhe hamendjeve errësuese.

Identiteti kombëtar gjithmonë i referohet grupeve me karakteristika të përbashkëta si dhe individit në vetvete me identitet kombëtar si kuptim i përkatësisë së tij reale dhe burimore. Kuptimi i Kombit ka vlerën e lindur të tij që nga njerëzimi dhe me njerëzimin, pra është diçka e lindur, e caktuar dhe konceptuar në llojin e afërt, të rrënjosur thellë dhe të shkruar ndër shekuj në proceset e jetës së njerëzimit. Po të hedhim një sy etimologjisë së fjalës komb atëherë vijmë në konkludim se kombi është një shkëmb i palëkundur dhe i pandryshuar edhe nëse popujt dalin nga kjo lindje e njëjtë në histori nuk do të thotë se ato janë kombe, sepse nuk mund të shpiket diçka që nuk korrenspondon me gjenin e lindur kombëtar dhe karakteristikat e tij në përgjithësi.

Fjala Komb e ka prejardhjen nga latinishtja që në përkthim do të thotë"si e lindur dhe me origjinë thelbësore"apo është quajtur edhe si „perëndeshë e lindjes, fis, racë, lloj" etj. etj.

Në lidhje me këtë edhe Ciceroni nënvizon disa aspekte të përfaqësimit të kombit në vetvete, pra në lidhje më aspektin e brendshëm dhe atë të jashtëm të kombit, në aspektin e jashtëm thotë ai kombi tregon racën e njerëzve, apo llojin e tyre, ndërsa në të brendshëm tregon bashkësinë e tyre të sistemuar dhe të institucionalizuar,

Ndërkaq është e udhës që kombi dhe popull të mos ngatërrohen nga mendimtarët dhe njerëzit që merren me këtë lëm, sepse sinonimi për një grup etnik nuk do të thotë automatikisht se ai grup etnik i ka rrënjët e tij historike po aty ku ai është vendosur, Kosova nuk ka qenë dhe nuk ishte asnjëherë e konceptuar si etni (këtë e bënin sunduesit duke e shndërruar Kosovën në pakicë etnike, lexo kohën e Ish-Jugosllavisë. "kombësit") por si një komb me traditë dhe histori të lashtë iliro-dardane. Po ashtu në lidhje me këtë çështje edhe filozofi i njohur austriako-anglezë Ludëig Wittgenstein, e përshkruan kombin duke i vë karakteristika të veçanta në ngjashmëri dhe në përbërje por edhe në përputhje te plotë më elementin e gjuhës, racës, kulturës, historisë dhe identitetit, ai e përmbledhë konceptin e kombit si „ familje në ngjashmëri „dhe përputhshmëri karakteristikash.

Ndërkaq për të shpalosur në tërësi identitetin e tij real kombëtar ai nuk ngurron aspak të shpreh atë që ndien brenda tij dhe që ka si kulturë në identitetin e tij të lindur historik-kombëtar, prandaj në lidhe me këtë ai thotë se „unë jam plotësisht gjerman"pra është pikërisht ajo që ai nuk do ta mohojë dhe as ta ndërrojë me asgjë, sepse ajo është diçka e lindur e veçuar që moti në brendësinë e brezave pastaj historisë dhe shekujve.

Në kuadër të kësaj edhe historiani dhe shkencëtari i njohur anglez Eric Hobsbawm nënvizon se „karakteristik e historisë së një kombi si një koncept fokusohet në kujtesën dhe përvojën e kaluar të bashkësisë (...)

Historia zhvillohet në proceset e lëvizjeve kombëtare një rol ky aq sa ata arrijnë të ndërtojnë një komunitet intergeneracional që shtrihet përtej kohës". Megjithatë, kombi në tërësinë e tij si koncept historik është një bashkësi e njerëzve që ndajnë një kulturë të përbashkët.

Siç edhe dihet kombi si bashkësi e njerëzve është kulturalisht homogjen, është më i madh se sa një fis i vetëm ose një komunitetit, kanë një gjuhë të përbashkët, institucionet, religjionin, dhe përvojën historike.

Kombi në tërësinë e tij dhe në plotësin e tij është një bashkësi e vlerave homogjene dhe kulturore me një histori të lashtë dhe të pashkëputur në kohë dhe në proceset e historisë, ndërsa Shteti -komb është komb i qytetarëve heterogjenë me prejardhje të ndryshme etnike, kulturore etj. etj.

Ndërkaq gjatë shekujve XVIII dhe XIX bëhen lëvizjet e para të futjes së konceptit shtet-komb apo edhe kombit në tërësi. Kështu në kuadër të kësaj vërejmë konceptin e bazuar në origjinën kombëtare apo të lindjes pra nga prejardhja e përbashkët si etnikisht -kulturalisht homogjene, kombi etnik dhe kulturor.

Ideja e shtetit-komb është i lidhur me ngritjen e sistemit modern të shteteve shpesh është quajtur si "sistemi Westfalian" pra në lidhje me Traktatin e Westfalisë 1648. Ky sistem kishte për qëllim që ta ekuilibroj pushtetin, ta rriste efikasitetin ashtu që mbi të të përcaktohet qartë kontrolli nga qendra i entiteteve të pavarur apo të shteteve-kombe ashtu që në këtë mënyrë të arrijnë të njohin sovranitetin dhe territorin e njëri-tjetrit.

Në fakt sistemi Westfalian nuk i krijoi shtetet-kombe por ato i plotësuan kriteret e tyre në mënyrë kompetente duke supozuar se më (nuk)ka territore të diskutueshme.

Më pastaj shteti-komb është përdorur mjaftë herë pas here dhe në këtë kuptim ku identitet të përbashkët të një vendi burojnë nga shtetësia e përbashkët brenda shteti. Kjo nënkupton se shteti ishte formuar më parë, dhe më pastaj ndjenja e identitetit kombëtar zhvillohet më vonë, ose në mënyrë paralele.

Nëse kombi ishte përcaktuar vetëm nga shtetësia, atëherë ku mbetën gjitha ato vite historike dhe kombëtare, pastaj ai natyralizim dhe gjeneologji, pastaj ato breza, pastaj ato fise që kishin një rrënjë të përbashkët, kjo do të thotë se ato u mohuan dhe tani duhet të fillohet nga e para, por pa rrënjë dhe gjenezë kombëtare, gjë që është mohim i vetvetes, të kaluarës, të tanishmes dhe të së ardhmes së historisë së kombeve në përgjithësi.

Nuk mund assesi të mendohet se ideja e kombit apo më mirë historia e një kombi të arrijë të identifikohet vetëm pas formimit të shtetit si koncept politiko-juridik dhe territorial, sepse ajo ka ekzistuar që moti apo më mirë ndoshta më herët ka ekzistuar koncepti i bashkësisë (polisit) politike (shtetërore) së gjerë dhe të sistemuar.

Në fakt formimi i shtetit modern është vetëm hyrja e kombit nën këtë ombrellë të re të sistemit politik modern dhe njohja e tij ndërkombëtarisht(aspekti i marrëdhënieve dhe të drejtë ndërkombëtare), por jo edhe mohimi i kombit dhe largimi nga gjeneza kombëtare dhe realitetit historik.

Përmes një procesi të aksidenteve historike dhe të zhvillimeve tjera janë krijuar sot shtetet të cilat përfshijnë një popullsi shumë heterogjene, kjo ndodhë për shkak të dyndjeve dhe konflikteve të gjata të popujve ardhacak dhe kombeve autokton.

Dhe kështu pas formimit të shtetit etnitetet brenda saj fitojnë në mënyrë të barabartë edhe nëse ato janë komunitete etnike imagjinare apo edhe komunitete etnike të ardhura, dhe kështu shteti merr konotacion të një shtetit modern me ndrydhje te vetëdijes kombëtare dhe shkrirjes së kësaj ideje kombëtare apo edhe vetë autoktonisë kombëtare dhe gjenealogjike në një pluralizëm identitetesh që përbëjnë bashkësinë e re shtetërore brenda sistemit politik dhe historik.

Por kjo nuk e pengon aspak askënd dhe asnjë komb që ta ruaj identitetin e tij origjinal kombëtar dhe kulturor edhe në një bashkësi etnitetesh brenda shtetit. Ndërsa duhet theksuar se jo çdo ide, jo çdo lloj mashtrimi, mund të jetë një realitet, sepse në këtë mënyrë nga këto ide që qarkullojnë për formimin e „një kombi të ri Kosovar" nuk janë asgjë tjetër vetëm goditje e ekzistencës së kombit shqiptar dhe mohimit të një pjesë të tij, kulturës së tij, të kaluarës së tij, historisë së tij etj. etj.

Duhet theksuar se në ngritjen (forcimit të vetëdijes kombëtare dhe pasqyrimi i identitetit kulturor kombëtar origjinal) dhe rënien (mohimi në tërësinë e tij) e një kombi, vjen si rezultat dhe ka si mbështetje individët si pjesë përbërëse e tij. Ku së pari bëhet improvizimi me vetveten si komb dhe më pastaj tentohet të ndryshohen të gjitha dhe kështu në fund Kosova mund të vdes si "komb i ri i shpikur" dhe pa bazë reale (...)

Meqë tashmë jemi bërë shtet nuk do të thotë se duhet shpikur edhe një komb të ri sepse Kosova (shih Dardania e lashtë) nuk ka lindur dje as sot, por ka shekuj e shekuj që ekziston kombi Shqiptar(Pellazgë-Ilirik). Tani është shumë e rëndësishme që eshtrat(Anatominë) e kombit shqiptarë ta mbledhim dhe ta bëjmë bashkë pastaj me anë të bashkimit të natyrshëm të këtij trupi kombëtar të copëtuar dhe të dërmuar të fillohet të gjallërohet dhe përtërihet ashtu që më pas të vihet në ekzistencën e tij të plotë dhe funksionale iç ishte që nga krijimi i tij si komb në historinë e njerëzimit.

Mirëpo lajka "politikanësh", "kalemxhinjsh" të cilët dëshirojnë që identitetit dhe trupit të kombit shqiptar t'i ngjeshin edhe një copë të shpikur të marrëzisë dhe iluzionit të një idealizimit fatkeq siç po trumbetohet për një komb të ri (kosovarë), duke hedhur kështu poshtë një pjesë të trupit tonë kombëtar e të identitetit tonë real dhe të natyrshëm.

Pohimeve dhe tezave të tilla të cilat janë jashtë kontekstit të historisë, identitetit dhe të anatomisë në tërësi të kombit shqiptar nuk duhet t'i zihet besë aspak sepse ato janë ide që janë derdhur në kallëp të çfarëdoshëm dhe se ky kallëp i ri nuk merr aspak parasysh historinë e lashtë të kombit shqiptar por brumos diçka që as vet ata nuk e dinë se çka do të dal pas këtij brumi dhe në ç'formë do të dal kjo shpikje e re kombëtare sepse nga kjo shpikje e re kombëtar në trojet e lashta të Ilirisë mund të na bëjë që më vonë kur të na pyesin kohërat dhe proceset për historinë dhe identitetit tonë do të skuqemi dhe shtrëngohemi nga turpi, sepse mohuam realitetin e natyrshëm të anatomisë së identitetit kombëtar dhe origjinës sonë që vetë Perëndia i dashur na e dhuroi, por në këtë mënyrë me anë të këtyre shpikjeve të reja kombëtare po bëhen përpjekje që të ulin në mënyrë poshtëruese tërë historinë e kombit në më pak se dy dekada dhe në më pak se dy vite pas bërjes së Kosovës shtet vetëm e vetëm për ta shpikur një komb të ri, kjo është të i ngjitës historisë përbindësha dhe të mbyllësh portën e kohëve të cilat dalin nga ky shkëmb i identitetit dhe origjinës së kombit shqiptar.

Sepse siç thoshte Confuci „forca e një kombi rrjedh nga integritetit i plotë i shtëpisë së saj "e jo nga humbja apo mohim i këtyre pjesëve integrale të trupit kombëtar duke shpikur diçka imagjinare dhe iluzive.

Nuk mund të ketë histori pa kombe dhe njerëzimin në tërësi, prandaj edhe dilemat e ditëve tona rreth çështjes së identitetit kombëtar dhe kulturor tregojnë se në Kosovë nuk mund të mohohen brezat, kultura origjinale, identiteti real e as historia, prandaj nuk duhet të mbyllen sytë ndaj realitetit duke ditur se Kosova (Dardania e lashtë)nuk është diasporë historike e shqiptarëve por atdheu i tyre dhe gjeneza e tyre kombëtare.

Prandaj tani është shumë e rëndësishme që Kombi Shqiptar të filloj të shërohet nga gjitha sëmundjet e tij(otomane dhe bizantine) dhe rreziqet që mund të vijnë nga erërat e ndryshme gjatë procesit të tij të konsolidimit të plotë, pastaj të filloj rrugën e shëndetit të kombit drejt proceseve të integrimit ne familjen e saj europian si dhe më pas të natyralizimit dhe bashkimit të pjesëve të trupit të saj ky si një proces historik.

Jo rastësisht kryeministri anglezë Winston Churchill shpreh dashurinë e tij të pamasë ndaj kombit, kulturës së tij historike dhe tradicionale, ai thotë se „dashuria për traditën, kulturën asnjëherë nuk e ka dobësuar një komb, por me të vërtetë kjo i ka forcuar shtetet në orë e tyre të rrezikut".

Ndërsa sot si asnjëherë më parë kombi shqiptar ka nevojë që ta prekë gishti i Perëndisë së vërtetë apo më mirë siç do të thoshte ish- presidenti i dyzetë i SHBA-së Ronald Regan „ne kemi nevojë për ndihmën e Perëndisë për të udhëhequr kombin tonë nëpër dete te stuhishme.

"Kosova e ka historinë e saj e ka identitetin e saj, kulturën e saj i ka brezat e saj ajo është pjesë e trupit si tërësi e kombit shqiptar si dhe pjesë e kulturës dhe civilizimit evropian, rruga e saj është e qartë dhe e ditur gjatë gjithë përpjekjeve të saj në histori se ajo dëshiron të jetojë e lirë, dhe e bashkuar me familjen europiane.

(*) Dërguar nga autori, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare

KOMENTE