Paris, 27 shkurt, NOA - Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Një fakt të tillë e ka bërë me dijeni ministri i Punëve të Jashtme të Francës, Bernard Kouchner, në prag të vizitës së tij në Beograd dhe Prishtinë. Në një intervistë të dhënë për mediat serbe, Kouchner ka thënë se gjithsesi, njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është kusht për Serbinë për t'u pranuar në Bashkimin Evropian.
Sidoqoftë, ai ka përsëritur faktin se Serbia duhet t'i zgjidhë problemet me fqinjët e saj para se të hyjë në BE, duke theksuar këtu fjalën "me të gjithë fqinjët e saj", çka nënkupton edhe Kosovën.
Kouchner, gjatë qëndrimit në Kosovë pritet të takohet e zyrtarë më të lartë të vendit tonë dhe me përfaqësues të pranisë ndërkombëtare në Prishtinë.
Kuvendi i Kosovës ndërkaq, do të mbajë një seancë solemne për nder të ministrit të Jashtëm francez, ku ai do të mbajë edhe një fjalim të rastit.
n.e/NOA