English

Përmbytjet, evakuohen 308 familje

Shkodër, 27 shkurt, NOA - Deri më sot janë evakuuar 308 familje nga situata e krijuar si pasojë e përmbytjeve në qarkun e Shkodrës. Lajmi konfirmohet nga ministria e Brendshme, e cila ka bërë dhe bilancin paraprak të situatës mbi përmbytjet në gjithë zonën e Shkodrës.

Përveç familjeve të evakuuara, rezulton se si pasojë e reshjeve janë përmbytur 6300 hektarë tokë, si dhe janë përmbytur 74 shtëpi. Ndërsa shtëpi të rrethuara nga uji gjithsej janë 805.

Ministria e Brendshme sqaron se strukturat e Forcave të Armatosura dhe të Policisë së Shtetit janë të angazhuara për evakuimin dhe transportimin e banorëve, për përforcimin e argjinaturave dhe për shpërndarjen e ndihmave ushqimore dhe koncentrateve për bagëtinë.

"Në Komunën Dajç, në fshatrat Daragjat dhe Shirq, po vazhdojnë punimet për përforcimin e argjinaturave me thasë me rërë. Strukturat e Forcave të Armatosura po shpërndajnë me anë të varkave ndihma ushqimore dhe koncentrate në fshatrat Obot dhe Gorricë në Komunën Ana e Malit dhe në Komunën Dajç", thuhet në deklaratën zyrtare të ministrisë së Brendëshme për situatën.

Gjithashtu, edhe në zonat Ças dhe Velipojë, strukturat e ushtrisë me 4 mjete, 1 eskavator dhe 1 fadromë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Bordit të Kullimit vazhdojnë punimet në përforcimin e argjinaturës.

"Përsa i takon gjendjes së akseve rrugore në zonën e Shkodrës, i pakalueshëm është vetëm aksi i rrugës për në fshatin Obot, ndërkohë të kalueshme vetëm për mjetet e larta janë akset rrugore nga kthesa e Dajçit deri tek ura e Shirqit, aksi rrugor i Gorricës dhe aksi rrugor Bërdicë-Velipojë tek ura e Gjo Luli", thuhet në njoftimin e ministrisë së Brendshme.

m.xh/NOA .

KOMENTE