Shkodër, 27 shkurt, NOA - Paraqitet mjaft e rënduar mëngjesin e ditës së sotme situata në zonat e përmbytura në veri të vendit, dhe kjo për shkak të reshjeve të rëna gjatë natës.
Lajmi konfirmohet nga korrespondenti i agjencisë së Lajmeve NOA, sipas të cilit rruga drejt fshatit Obot në Shkodër rezulton të jetë plotësisht e bllokuar, ndërsa ajo drejt fshatit Dajç është pjesërisht e kalueshme.
Sipas të dhënave, mëse 307 persona janë evakuar gjatë orëve të fundit nga banesat e tyre pasi përmbytjet kanë vërshuar sërish në shtëpitë e tyre e në këtë mënyrë, paraqitet rrezikshmëri e lartë nëse qëndrojnë ende në to.
Ndërkaq, probleme shfaqen në fshatin Darragjat, fshat ku edhe forcat e ushtrisë janë duke punuar për përforcimin e argjinaturës së saj, në mënyrë që uji të mos mundet të hyjë me sasi të mëdha brenda tij.
Bëhet me dijeni ndër të tjera se forcat e ushtrisë paraqiten në gadishmëri të plotë për të ndihmuar banorët dhe për të vijuar me evakuimin e tyre nga zonat të cilat gjenden nën pushtetin e ujit.
Mësohet se tashmë janë mëse 5500 hektarë tokë dhe qindra shtëpi të cilat janë pushtuar dhe përmbytur plotësisht nga uji.
n.e/NOA