Prishtinë, 27 Shkurt NOA - Tragjedia rrugore që ndodhi pak ditë më parë në Austri e ka kthyer të shtunën e sotme në Ditë Zie Kombëtare për Republikën e Kosovës.
Me dekret të posaçëm të Presidentit të Republikës, Fatmir Sejdiu në të gjithë Kosovën sot u shpall zia kombëtare.
Sipas komunikatës së Presidencës, "sot në Kosovë është ditë zie kombëtare, në shenjë respekti për viktimat e aksidentit, të ndodhur disa ditë më parë, në Austri".
Në këtë aksident, pjesa më e madhe e të vdekurve dhe të plagosurve ishin qytetarë të Kosovës.
Urdhri presidencial për zi kombëtare parashikon që të gjitha aktivitetet kulturore dhe sportive të parapara për ditën e sotme të anulohen duke mos u zhvilluar në të gjithë vendin.
Rrjetet radio dhe televizive kombëtare dhe lokale janë të detyruara të transmetojnë vetëm programe me muzikë serioze dhe edicione informative apo dokumentarë, por jo programe argëtuese.
a.b/NOA