English

Zharku: Forca punëtore, pasuria më e madhe e Kosovës

Prishtinë, 27 shkurt, NOA - Mbi 100 përfaqësues të ekonomisë bavareze morën pjesë në konferencën e organizuar të enjten për promovimin e Kosovës si vend investimi. Në mikrofonin e DVelle, flet ministri i industrisë dhe tregtisë së Kosovës, Lutfi Zharku./ Zoti ministër, a jeni i kënaqur me nivelin e investimeve të huaja në Kosovë? - Viitin e kaluar kemi dashur ta mbajmë nivelin e vitit 2008, i cili ka qenë 350 milionë Euro. Por, për shkak të krizës financiare globale ne kemi pasur një rënie prej 100 milionë. Jemi shumë të kënaqur që reinvestimet e huaja janë rritur me 14 për qind. Shpresojmë që gjatë këtij viti ato t'i rrisim edhe më shumë, por nuk mund t'ju jap një shifër të saktë apo një përqindje, por aktivitet tona janë shumë serioze për rritjen e investimeve të jashtme.

Me çfarë i josh Kosova investitorët gjermanë?

- Kosova ka pasuri të mëdha, më e madhja është forca e re punëtore, e cila është e edukuar dhe flet shumë gjuhë. Kosova ka një sistem financiar shumë stabil, Euron e ka si valutë kombëtare, ka një stabilitet makroekonomik. Pasuritë natyrore, posaçërisht në fushën e bujqësisë janë potenciale të mëdha për investime, bankat tona janë jashtëzakonisht stabile. Kosova vitin e kaluar e ka kaluar shumë më lehtë se sa vendet e tjera të rajonit.

Por mes Gjermanisë dhe Kosovës ende nuk ekziston një marrëveshje për mbrojtjen e investimeve, a nuk mendoni se kjo mungesë mund të përbënte një pengesë për investitorin gjerman që dëshiron të vijë në Kosovë?

- Pavarësisht që nuk e kemi marrëveshjen mbi mbrojtjen e investimeve Kosova me legjislacionin e vet garanton trajtim të barabartë të investitorëve vendas dhe të huaj. Por ne tani kemi filluar me iniciativën për nënshkrimin e marrëveshjes për promovim të investimeve. Ministri Hyseni i ka filluar aktivitet në bashkëpunim me qeverinë gjermane për nënshkrimin e asaj marrëveshjeje. Ne besojmë se shumë shpejt, brenda disa muajve do të kemi edhe nënshkrimin e asaj marrëveshjeje, pas asaj që nënshkruam në Prishtinë me qeverinë e Austrisë.

Megjithatë, marrëveshja e investimeve gjithsesi ruan vetëm nga rreziku i destabilizimit politik. Sa garanci i jepni ju investitorit të huaj sa i përket për shembull pronësisë mbi truallin?

- Unë besoj se për këtë çështje mund të ketë keqkuptime nga ana e qasjes së ish-zyrtarëve t UNMIK-ut dhe zyrtarëve tanë. Nuk dua ta relativizoj këtë çështje. Është çështje në të cilën po punohet, ne kemi Agjencionin e Pronës, kemi Agjencionin Katastaral të Kosovës, i cili është ndër më modernet në rajon. Në se kthehemi në traditën tonë shpesh, nuk i kemi regjistruar pronat përkundër shitjeve të mëdha që kanë mund të ndodhë.

A ka garanci investitori i huaj në Kosovë, që nuk do t'i ndërpritet rryma gjatë prodhimit?

- Këtë çështje ne po mundohemi derisa nuk e kemi të përfunduar projektin e Kosovës së re, po mundohemi ta zgjidhim përmes zonave ekonomike, siç është parku industrial i Drenasit, i cili ofron një hapësirë prej 24 hektarësh dhe kemi shumë biznese me të cilat tani i kemi lidhur kontratat. Në anën tjetër shumica e qyteteve në Kosovë në të kaluarën kanë pasur zona të vogla industriale që gëzojnë një trajtim të posaçëm nga ana e KEK-ut për mos ndërprerje të energjisë elektrike.

Megjithatë problemi kryesor i Kosovës mbetet ai i imazhit. Çfarë po bën ministria dhe qeveria juaj për ta përmirësuar atë?

- Një ndër aktivitetet tona të ministrisë është aktiviteti përmes Agjencionit për Promovimin e Investimeve. Aktivitete të tjera janë studimet dhe analizat tona në kompletimin e infrastrukturës ligjore dhe eventualisht të metave të ndryshme që i kemi në legjislacionin aktual, reformimi i sistemit fiskal, që tani ka filluar vitin e kaluar. Studimet që po i bëjmë me Bankën Botërore për lehtësimin e biznesit, marrjen e licencave dhe zvogëlimin e burokracisë.

DVelle

KOMENTE