English

Denoncimi: Më vodhën "Kallashin"

Gjakovë, 28 Shkurt NOA - Një denoncim i rrallë ka mbërritur në Policinë e Kosovës, pasi një qytetar ka kallëzuar se persona të panjohur i kanë plaçkitur shtëpinë dhe mes sendeve të rrëmbyera gjendej dhe një automatik tip "Kallashnikov AK-47".

Denoncimin e ka bërë një shqiptar banor i rrugës "Mit'hat Frashëri" në qytetin e Gjakovës, i thanë sot agjencisë NOA, burime zyrtare nga policia lokale.

"Ankuesi informoi se nga persona të panjohur kishin arritur të hynin në shtëpinë e tij dhe kishin dalë pasi kishin vjedhur stoli ari, vlera e të cilave arrin shumën 3.250 euro, si dhe një pushkë automatike AK-47", citoi Policia e Kosovës, nga denoncimi i qytetarit të dëmtuar.

Zyrtarisht nuk u konfirmua nëse i dëmtuari ishte në radhët e policisë e po ashtu nuk u dhanë detaje mbi armën e rrëmbyer, nëse ajo ishte e regjistruar, kurse pak gjasa ka të ketë qenë me leje për shkak se një lloj të tillë arme e disponojnë vetëm uniformat blu.

a.b/NOA

KOMENTE